Ekonomi
Iniciativë për definimin e pronësisë së ashensorëve
26.01.2015 15:24
Grupacioni për Banim dhe Menaxhim me Hapësirat Banesore dhe Afariste pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë...

Grupacioni për Banim dhe Menaxhim me Hapësirat Banesore dhe Afariste pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë ka ngritur iniciativë për ndryshime në Ligjin për Inspektimin Teknik me qëllim të definimit të përgjegjësisë për funksionimin e ashensorëve. Iniciativa ka për qëllim rritjen e sigurisë në ashensorë, pasi ka raste kur inspektorati pas kontrolleve konstaton se ashensorët janë të pasigurt, ndërsa ata sërish aktivizohen.
“Nisma është rezultat i takimeve të realizuara me institucionet kompetente, si Komisioni Rregullator për Banim, inspektorë nga Inspektorati Shtetëror për Inspektim Teksnik dhe përfaqësues të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve. Zgjidhja e problemit është e patjetërsueshme, pasi për momentin ligji nuk e definon pronësinë e ashensorëve as në Ligjin për Banim e as në Ligjin për Pronësi”- deklaroi kryetari i Grupacionit për Banim dhe Menaxhim me Hapësirat Banesore dhe Afariste, Vase Samarkov.
Nga Grupacioni për Banim dhe Menaxhim me Hapësirat Banesore dhe Afariste pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë po ashtu vlerësojnë se zgjidhja e këtij problemi është me rëndësi edhe për sigurinë e njerëzve, por edhe për vet kompanitë e licencuara.
Standardet që duhet plotësuar një ashensor që të mund të marrë vendimin për t’u lëshuar në përdorim janë shumë të larta, përkatësisht në rastet kur konstatohet se nuk plotësohen standardet parashihet që në afat prej 60 ditësh të plotësohen ato, edhe pse ka raste kur nevojiten mjete edhe deri në 2 mijë euro, të cilat duhet t’i paguajnë vetë qytetarët.
Duke e pasur parasysh gjendjen financiare dhe mosgatishmërinë që një pjesë e banorëve nuk janë të gatshëm të participojnë për shpenzimet kolektive, përgjegjësia bie mbi kompanitë e licencuara edhe pse ashensorët nuk janë në pronësinë e tyre, pasi kompanitë menaxhuese paraqiten vetëm si menaxhues në interes të qytetarëve.
Këto paqartësi dhe problemet tjera me të cilat përballen menaxherët e licencuar imponojnë ndryshimet në Ligjin për Inspektim Teknik të Ashensorëve, theksojnë nga Grupacioni për Banim dhe Menaxhim me Hapësirat Banesore dhe Afariste.
GYLTENE SINANI
