Testimi realizohet, greva vazhdon

26.01.2015 17:20

Duke filluar nga dita e sotme dhe deri më 30 janar, në shkollat e mesme në Maqedoni do të zbatohet testimi ekstern i diturive të nxënësve nga viti i tretë dhe i katërt, në pajtim me oraret e publikuara në faqen e internetit të Qendrës Shtetërore për Provim...

Këtë e bënë të ditur MASH-i dhe Qendra Shtetërore e Provimeve, sipas të cilëve procesi është realizuar me sukses.

Ekipi i TVM2 vizitoi Gjimnazin “Zef Lush Marku” dhe Shkollën e Mesme  “Arseni Jovkov”, ku nxënësit iu nënshtruan testimit ekstern,  ndërsa pjesa më e madhe e profesorëve vazhdonin grevën.     

"Testimi ekstern në Shkollën e Mesme “Zef Lush Marku” është duke u zhvilluar sipas dinamikës së paraparë. Testimin e realizojnë testatorë të caktuar nga ana e komisionit, anëtar i të cilit është drejtori, nxënësit janë prezent, d.m.th. po realizohet sipas dinamikës së paraparë”- deklaroi drejtori në Gjimnazin “Zef Lush Marku”, Faruk Zeqiri.               

Ndërkohë, kryetari i Sindikatës së Arsimit në ZLM, Ruzhdi Ibraimi, theksoi se numri më i madh i  profesorëve në Gjimnazin “Zef Lush Marku” vazhdojnë grevën deri në realizimin e kërkesave të tyre.        

“Do vazhdojmë me grevë deri në realizimin e kërkesave tona. Kush realizoi testimin ekstern? Ne që jemi në grevë vazhdojmë atë, kush e realizoi testimin ekstern pyetni drejtorin. Ne jemi të dënuar, të malltretuar, të shkarkuar, të zëvendësuar, jemi në grevë, por çka po e bëjmë, ne të dënuar jemi”- tha kryetari i Sindikatës, Ruzhdi Ibrahimi.                                                                   

Në Shkollën e Mesme “Arseni Jovkov” 98 % prej profesorëve shqiptarë janë në grevë dhe nuk e kanë realizuar testimin, mirëpo nxënësit i kanë testuar kolegët e tyre maqedonas, thonë nga kjo shkollë. 

“Sa i përket profesorëve që ligjërojnë shqip, pothuajse të gjithë jemi të përfshirë në grevë dhe për çdo ditë po rritet numri. Provimet janë duke u mbajtur në shkollën tonë, maturantët po vijnë. Testatorët janë të shkollës, nga grupi i profesorëve që nuk janë në grevë, nga pjesa që japin mësim në maqedonisht, janë grup më i madh”- u shpreh profesori, Enver Ajdini.        

Ndërkohë, sipas kryetarit të SASHK-ut, Jakim Nedellkov, testimi ekstern në disa shkolla po realizohet, në të tjerat nuk është realizuar. Anëtarët e SASHK-ut që janë në grevë nuk dinë se kush po realizon testimin.

Sipas informacioneve të SASHK-ut, testimin e realizojnë arsimtarë që nuk janë në grevë ose arsimtarë nga shkolla të tjera. Greva vazhdon deri në plotësimin e kërkesave të SASHK-ut, thotë Nedellkov. Ndërsa nga Qendra Shtetërore e Provimeve thonë se testimin e kanë realizuar testatorë të trajnuar. Rezultatet e testimit ekstern do të publikohen më 2 shkurt. (Flutra Latifi, TVM2)