Maqedoni
Kurti: Qytetarët serbë në Kosovë ta ruajnë qetësinë
05.11.2022 17:33
Pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, ka reaguar Kryeministri Albin Kurti...
Pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, ka reaguar Kryeministri Albin Kurti, i cili ka ftuar të gjithë qytetarët serbë në Kosovë që të mos braktisin institucionet e Kosovës. Kryemisnitri Kurti ka thënë se presidenti i Serbisë ka gënjyer dhe ka zhgënjyer amerikanët dhe evropianët.
“Ai shumë shpesh takon dhe koordinohet me ambasadorin rus në Beograd. Serbia duke mos qenë vend demokratik po bëhet vegël e Kremlinit. Po ashtu, duket që ish zëdhënësi i partisë së Milosheviqit, tash ministër i jashtëm i Serbisë, është më i pushtetshëm sesa ish ministri i informatave të Milosheviqit, tash presidenti i Serbisë. Kjo është betejë personale e tyre për pushtet, as për qytetarët dhe as për shtet”, tha Kurti.
Sipas tij me marrëveshjen e Kumanovës të 9 qershorit 1999, Serbia ka kapitulluar dhe i ka thënë lamtumirë Kosovës.
“Nuk ka nevojë të humbim kohë e të vazhdojmë të vonohemi edhe në vitin 2022. Duke e përkrahur Milosheviqin dhe Sheshelin para çerek shekulli e keni lënë Kosovën. Duke e përkrahur Putinin e Lavrovin sot, po e lini Evropën. I ftoj të gjithë qytetarët serbë në Kosovë, që ta ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë. Unë nuk jam kryeministër kundër juve, por Beogradi është kundër meje.”, tha Kurti.
Kanë reaguar edhe nga Presidenca e Kosovës. Shefi i stafit të Presidencës së Kosovës, Blerim Vela, ka vlerësuar se kjo i ngjan aktit të nxitjes së Rusisë në Donbas në vitin 2014. Ai fjasoi Serbinë se po i nxit serbët e Kosovës për ta braktisur punën e tyre. Sipas tij me detyrimin e serbëve të Kosovës që të largohen nga institucionet e Kosovës, Serbia shkeli në mënyrë të njëanshme të gjitha marrëveshjet e Brukselit për shpërbërjen e strukturave të saj ilegale në Kosovë.
