Botë
Mitrovicë, serbët bojkotojnë institucionet dhe protestojnë
06.11.2022 15:10
Në Mitrovicën e Veriut është mbajtur një protestë - e thirrur nga Lista Serbe....

Në Mitrovicën e Veriut është mbajtur një protestë - e thirrur nga Lista Serbe - për shkak të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve nga ato ilegale serbe me targat RKS. Kjo protestë u mbajt një ditë pas vendimit të Listës Serbe për largim nga të gjitha institucionet e Kosovës.
Këtë vendim lista Srpska e mori pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq. Ky i fundit u suspendua pasi refuzoi të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat. Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, me këtë rast ka ripërsëritur kërkesat që të mos zbatohet vendimi i qeverisë për targat si dhe të formohet asociacioni.
Protesta ka përfunduar e qetë por në orët e hershme të mëngjesit, policia e Kosovës ka njoftuar se është djegur një objekt i një zyrtari policor serb në Leposaviq. Ndërkohë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se ka realizuar një bisedë telefonike me Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borell. Kurti ka bërë të ditur se e ka njoftuar Borell me zhvillimet e fundit në veri.
“Nuk ka alternativë ndaj dialogut dhe institucioneve. Ia bëra me dije se nga 843 qortime të dhëna deri më tani nga policia për drejtuesit e makinave me targa pa leje, kishte 0 incidente apo ankesa.”, shkroi kryeministri Kurti në Twitter.
Përfaqësuesi i Lartë i BE për Politikë të Jashtm, mbrëmë vonë doli me një deklaratë, në të cilën kërkoi që Kosova dhe Serbia të përmbahen, duke mos ndërmarrë veprime të njëanshme. Borell ka thënë se largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mospajtimet aktuale.
“Zhvillimet e fundit rrezikojnë punën e madhe që është bërë në kuadër të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.”, ka thënë Borell.
Edhe Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, ka zhvilluar bisedë telefonike me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilëve u ka bërë thirrje për përmbajtje dhe kundër çdo veprimi të njëanshëm. Ndërsa Vuçiq i ka thënë minsitrit italian se Beogradi si edhe më parë do të sillet seriozisht dhe me përgjegjësi, duke respektuar obligimet dhe vendosmërinë e tij për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, të cilën sipas tij Prishtina po e rrezikon me aktet dhe veprimet e saj të njëanshme.
SEDAT SELIMI
