Analistët: Nuk pritet ndryshim radikal në politikën greke për emrin
Rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme në Greqi kanë nxjerrë fituese partinë “Syriza” që udhëhiqet nga Alexis Tsipras....

“Syriza” dhe drejtuesi i saj, Tsipras, që pritet të jetë kryeministër i ri grek llogariten më fleksibil për sa i përket problemit për emrin që ka Maqedonia me Greqinë. Por, pavarësisht nga kjo, njohësit e kësaj problematike nuk presin shumë në këtë drejtim.
Profesori universitar, Ylber Sela, thotë se pa një presion nga faktori ndërkombëtar vështirë se palët mund të lëvizin nga pozicionet e njohura.
“Shumë e rëndësishme do të jetë se si do të zhvillohen ngjarjet në Ballkan dhe edhe qeveria që do të krijohet në Greqi do të jetë pjesë e këtyre rrethanave gjeopolitike ballkanike. Duke marrë parasysh se interesi i madh i Gjermanisë dhe i disa vendeve tjera të cilat kanë marrë tani primatin për çështjet ballkanike, atëherë do të shihet që ajo që na intereson më tepër, që presim nga këto forca të reja në Greqi, se a mund të ketë ndonjë lëvizje rreth çështjes së emrit, unë besoj që nuk do të presim shumë nga pala greke, sepse pa një presion ndërkombëtar për të dy palët, qoftë palës maqedonase, qoftë palës greke, nuk mund të kemi zgjidhje të kamotshme që e presin qytetarët”- deklaroi analisti politik, Ylber Sela.
Ndryshimin e forcave politike në Greqi e ka komentuar edhe ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski, gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë. Ai pret intensifikimin e dialogut midis dy vendeve.
“Përgëzojmë procesin e zgjedhjeve në Greqi, ne duhet të përkushtohemi në intensifikimin e dialogut. Greqinë e pret sfida e kapërcimit të problemeve financiare dhe është në interesin e Maqedonisë tejkalimi i këtyre sfidave. Vitet E fundit kemi pasur shumë momente, sidomos që kur doli çështja e emrit dhe ky kontekst akoma nuk është tejkaluar. RM-ja ka një përkushtim maksimal për ndërtimin e marrëdhënieve konstruktive mes dy vendeve, kjo është pengesa e vetme për anëtarësimin në NATO”- tha ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski.
Sipas rezultateve preliminare, “Syriza”, e cila udhëhiqet nga Alexis Tsipras, prin me 39.5 për qind të votave, ndërsa pas saj radhitet partia e kryeministrit aktual, Antonis Samaras, me 27 për qind të votave. Menjëherë pas rezultateve preliminare, Tsiparas ka filluar bisedimet me partitë më të vogla për krijimin e qeverisë së re. Ai pritet ta shpallë kabinetin e ri brenda javës.
Ndryshe, “Syriza” njihet edhe për nga kundërshtimi i masave të kursimit dhe, sipas analistëve, kjo mund ta vë Greqinë në një përplasje me kreditorët e saj ndërkombëtarë. (Naim Ramadani, TVM2)
