Në veri serbët braktisin punën, në jug vazhdojnë si çdo ditë tjetër

07.11.2022 09:15

Pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës....

Pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, për dallim nga ata në veri të Republikës, në pjesën tjetër të vendit vazhdojnë punën normalisht.

Në komunën e Shtërpcës, ku shumica e banorëve janë të nacionalitetit serb, puna në polici vazhdon si çdo ditë tjetër, edhe pas vendimit të së shtunës ku Lista Serbe vendosi të lëshojë institucionet e Kosovës e pjesëtarë serbë të policisë hoqën uniformat.

Disa pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës, prapa kamerës thanë për RTK-në se asnjë polic nuk është duke bojkotuar punën në këtë pjesë të vendit.

RTK ka provuar të marrë një deklaratë nga Zyra për Medie e Policisë në Ferizaj por ata nuk janë përgjigjur për shkak që siç kanë thënë u duhet leje nga Zyra Qendrore e Policisë së Kosovës, në Prishtinë.

Po ashtu RTK ka adresuar një kërkesë në Zyrën për medie të policisë në Prishtinë për të kuptuar se sa është numri total i policëve që po bojkotojnë institucionet e Republikës së Kosovës, por ata nuk janë përgjigjur.