Kosovë, deputetët e Listës Serbe deponojnë dorëheqjet
Pas vendimit për largim nga institucionet e Kosovës....

10 deputetët e Kuvendit të Kosovës nga subjekti politik parlamentar Lista serbe, kanë dorëzuar dorëheqje të parevokueshme.”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.
Të shtunën, në një konferencë për media kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka bërë të ditur se ata do të tërhiqen nga institucionet qendrore të vendit dhe në komunat veriore.
Në anën tjetër, ndërkombëtarët kanë bërë apel tek institucionet e Kosovës dhe ato serbe që të mos kontribuojnë në përshkallëzimin e situatës, duke kërkuar kthimin e serbëve në vendet e tyre të punës dhe formimin e Asociacionit nga institucionet kosovare.
Ambasada Amerikane në Prishtinë ka kërkuar nga të gjitha palët e përfshirë që të ulin tensionet duke mos përdorur retorike nxitëse.
Ambasada amerikane ka kërkuar nga serbët e Kosovës që të kthehen në institucione, duke i përfshirë edhe forcat policore.
Nga pala kosovare ndërkombëtarët kërkojnë që ta shtyjnë procesin e ri-regjisrimit të automjeteve dhe të suspendojnë çdo veprim ndëshkues ndaj bartësve të targave KM derisa cështja të zgjidhet nga palët nëpërmjet dialogut.
Ambasada amerikane e kërkon edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Sipas përgjigjes, mos zbatimi i kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare ia ulë Kosovës reputacionin dhe kredibilitetin.
