Inspektorati i Tregut dënon 5 shitës karburantesh
Pesë subjekte private të cilat merren me shitjen e derivateve të naftës në Maqedoni nuk i kanë respektuar në tërësi rregullat ligjore sa i përket cilësisë së oktanëve që duhet të kenë derivatet dhe po ashtu është vërejtur një sërë përjashtimesh të vlerave të mazutit tek këto pesë subjekte...

Inspektorati Shtetëror i Tregut në kontrollet e zakonshme nëpër karburante ka konstatuar se disa tregtarë kanë punuar jashtë rregullave të parashikuara dhe iu kanë shitur drejtuesve të makinave derivate jocilësore.
“Kemi disa raste ku janë konstatuar parregullsi në këtë drejtim, sidomos përjashtim kemi tek vlerat e mazutit, ndërsa në disa raste të tjera tek derivatet është konstatuar mosrespektim i standardeve të cilat kanë të bëjnë me oktanët ose fuqinë të cilat duhet të kenë derivatet. Kjo do të thotë se kilometrat të cilat një automjet duhet t’i kalojë janë më pak sesa kilometrat të cilat janë me standardet e parashikuara”- theksuan nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.
Tregtarët e derivateve të naftës në Maqedoni, të cilët nuk do t’i përmbahen rregullave të parashikuara me ligj, do dënohen me gjoba prej 2 mijë deri më 5 mijë euro dhe rrezikohen t’i humbin licencat për punë.
Nga Inspektorati Shtetërorë i Tregut bëjnë me dije se do të vazhdojnë me kontrollet në terren me të vetmin qëllim, që të detektohen të gjitha mangësitë në shitje të derivateve të naftës nëpër karburantet. (Rexhep Qamili, TVM2)
