Botë

Luftime të ashpra në Kherson dhe Donetsk, Kievi: Forcat ruse po pësojnë humbje të mëdha

07.11.2022 15:35

Sirenat e alarmit dëgjohen në të gjithë Ukrainën. Luftime të ashpra po zhvillohen në rajonet Kherson dhe Donetsk...

Sirenat e alarmit dëgjohen në të gjithë Ukrainën. Luftime të ashpra po zhvillohen në rajonet Kherson dhe Donetsk. Kievi pretendon se forcat ruse po pësojnë humbje të mëdha dhe kanë arritur të rimarrin 37 për qind të territorit të pushtuar. Zelensky tha se është gati për sulme të reja ruse në infrastrukturë.
 
“Kemi zbuluar se shteti terrorist po përqendron forcat dhe burimet për sulme masive të mundshme të përsëritura në infrastrukturën tonë, veçanërisht objektet energjetike. Rusia për këtë kishte nevojë për raketa iraniane. Ne po përgatitemi për një përgjigje.”, tha presidenti Ukrainës Volodymyr Zelensky. 
 
Nga ana tjetër, forcat ruse thonë se në 24 orë, ushtria ukrainase ka kryer mbi 30 sulme në Donetsk. Është goditur edhe godina administrative e hekurudhës. Ata akuzojnë se janë përdorur raketahedhës “Himars”. Megjithatë, ata sigurojnë se po mbajnë me sukses linjën mbrojtëse në rajonin Kherson. 
 
“Grupet e sabotimit dhe zbulimit ukrainas kryejnë sulme terroriste. Ne po përpiqemi ta luftojmë këtë dhe mendoj se fuqia dhe komunikimet do të rikthehen së shpejti. Vija e frontit është e pandryshuar, ushtarët tanë vërejnë se nazistët, të shtyrë nga Perëndimi kolektiv dhe ata që me çdo kusht duan të shpallin se "qyteti i Khersonit është çliruar", nuk janë më të etur për të sulmuar.", tha Kirill Stremusov, kreu i administratës civile-ushtarake në Kherson, i emëruar nga Rusia. 
 
Ndërkaq, kompania “Ukrenergo” ka paralajmëruar ndërprerje të jashtëzakonshme të rrjetit të energjisë elektrike për shkak të pamundësisë së shpërndarjes së energjisë elektrike. Vendimi vjen pasi kryetari i bashkisë së Kievit, Klitschko, u bëri thirrje qytetarëve që të përgatiten për skenarin më të keq.
 
“Ne po bëjmë gjithçka që kjo të mos ndodhë, por le të jemi të sinqertë, armiqtë tanë po bëjnë gjithçka që qyteti të jetë pa ngrohje, rrymë dhe ujë - kjo është detyra e tyre. Prandaj duhet të jeni gati.”, tha Vitaliy Klitschko, kryetari i bashkisë së Kievit.
 
Mbi katër milionë e gjysmë konsumatorë në Ukrainë janë tashmë pa energji elektrike. Vendi përballet me një mungesë prej 32 për qind të furnizimit të nevojshëm.
 
BELINDA KOKA ADEMI