Gjykimi për spitalin modular në Tetovë dështoi, seanca e radhës më 7 dhjetor

08.11.2022 10:57

Prokuroria themelore publike në Tetovë në korrik ka ngritur aktakuzë...

Dështoi edhe përpjekja e sotme për fillimin e gjykimit për rastin e zjarrit në spitalin modular në Tetovë. Avokati i Dr. Boban Vuçeskit nuk ishte prezent sepse kishte edhe një seancë tjetër.

Gjykatësi Jordan Velkovski i ka thënë të akuzuarit Boban Vuçeski se nëse avokati i tij nuk vjen në seancën e radhës, seanca kryesore do të mbahet pa të. Avokatët e të akuzuarit Artan Etemi dhe ish-drejtorit të Spitalit Klinik në Tetovë, Florin Besimi, kërkojnë qasje në dokumentacionin e plotë.

Seanca e radhës është caktuar për 7 dhjetor. Prokuroria themelore publike në Tetovë në korrik ka ngritur aktakuzë kundër tre personave fizikë dhe një personi juridik në lidhje me zjarrin në Spitalin Modular në Tetovë, i cili ndodhi mbrëmjen e 8 shtatorit të vitit të kaluar dhe në të cilin jetën e humbën 14 persona, mes tyre 12 pacientë dhe dy persona që kanë qenë shoqërues në momentin e aksidentit.