Liderët e opozitës i kërkojnë Kurtit koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë
Liderët opozitarë në Kosovë...

Liderët opozitarë në Kosovë i kanë kërkuar kryeministrit Albin Kurti, që të ketë koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë.
Të tre liderët e partive opozitare i shkuan në takim Kurtit për të diskutuar për “zhvillimet e fundit në vend, e sidomos në veri të vendit”.
Takimi është thirrur tri ditë pasi përfaqësuesit serbë u dërhoqën nga institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet dhe pas deklaratave të vetë Kurtit se janë intensifikuar kërcënimet e Serbisë për destabilizmin e situatës në veri të vendit.
Në takim morën pjesë Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Kreu i PDK-së, Krasniqi, pas takimit, tha se Kosovës “në këto momente i duhen veprime të përgjegjshme që e ruajnë sovranitetin e vendit”. Ndërsa, lideri i LDK-së, Abdixhiku, theksoi se në takim me Kurtin nuk kanë parë ndonjë plan konkret e “as gatishmëri për koordinim të plotë me aleatët ndërkombëtarë”.
Ai tha se meqë gjendja e sigurisë në vend “është shumë e rëndë”, është jetik koordinimi me partnerët, me theks të veçantë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa, Haradinaj lëshoi takimin dhe shkroi se u detyrua ta bënte këtë për shkak që, siç u shpreh, “Kurti mbante ligjërata e nuk na sqaronte se përse i ka prishur raportet me Amerikën”.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Kurtit që të shtyjë vendimin për targat.
