Maqedoni
Pendarovski – Ageler, ambasadorja e ShBA-së dorëzon kredencialet
08.11.2022 13:31
Presidenti i vendit,Stevo Pendarovski, pranoi letrat kredenciale nga ambasadorja e re amerikane në vend, Anxhela Prajs Ageler....

Presidenti i vendit,Stevo Pendarovski, pranoi letrat kredenciale nga ambasadorja e re amerikane në vend, Anxhela Prajs Ageler. Siguroi atë për mbështetje ndërkaq beson për përfshirje më të madhe të SHBA-ve në vend si garantues të paqes, stabilitetit dhe mbështetje e shtuar karshi sfidave integruese. Presidenti ripërsëriti se reformat në sferat kyçe duhet të përcaktojnë zhvillimin e mëtejmë të demokracisë dhe anëtarësimin e vendit në BE, e jo ndasitë e imponuara historike.
“Temat anakronike dhe debatet për identitet dhe çështje të imponuara historike, paraqesin pengesë serioze dhe ka potencial që të frenojë rrugën tonë integruese dhe me këtë të mbaj tërë rajonin në pasiguri dhe kjo do të gjenerojë jostabilitet. Duke u nisur nga ky konstatim jam i bindur se do të vazhdojë mbështetja nga Uashingtoni edhe në periudhën që vijon me përfshirje më të madhe të SHBA-ve si garantuese e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanit Perëndimor.”,- tha presidenti, Stevo Pendarovski.
Ambasadorja amerikane siguroi presidentin Pendarovski se Maqedonia e Veriut nuk është e vetme përballë sfidave eurointegruese. SHBA-të do të qëndrojnë pranë në realizimin e synimeve strategjike.
“Sot jam këtu të premtoj se ju s’do ballafaqoheni vetëm me këto sfida. SHBA-të, ambasada dhe unë do të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë që t’iu ndihmojmë njerëzve në Maqedoninë e Veriut të mund të pranojnë dhe tejkalojnë të gjitha këto sfida. U betohem se do të qëndrojmë krah për krah me njerëzit e këtij shteti, ashtu sikurse vendi realizon synimet e tij për paqe, prosperitet, siguri dhe pavarësi për të gjithë qytetarët e saj.”,- theksoi ambasadorja e SHBA-ve, Anxhela Prajs Ageler.
Ambasadorja amerikane vlerësoi lartë kontributin e Maqedonisë së Veriut në stabilitetin dhe sigurinë europiane si anëtare e NATO-s, tanimë me luftën në Ukrainë. Edhe presidenti konsideron se marrëdhëniet Maqedoni SHBA janë avancuar si pasojë e të qenit pjesë e NATO-s, duke mos anashkaluar as rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushat të ekonomisë, investimeve, arsimit, kulturës dhe ambientit.
MERAL ISMAILI
