Maqedoni

Osmani-Millkov për marrëdhëniet e ndërsjella: Të kthehet rendi pozitiv

08.11.2022 13:59

Një prej temave më të ndjeshme në vend është se dikush e sfidon veçantinë...

Një prej temave më të ndjeshme në vend është se dikush e sfidon veçantinë, identitetin dhe gjuhën, dhe kjo ndjenjë shoqërohet me provokime nga pala bullgare, konsideron ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani, pas takimit me homologun e tij bullgar, Nikollaj Millkov. 
 
“Nëse arrijmë sukses që këtë ta largojmë nga diskursi me Bullgarinë dhe nuk mund të mohoni se vinë mesazhe të tilla nga palë të ndryshme sa i përket pretendimeve territoriale. Nëse arrijmë të largojmë anash këtë dhe qytetarët maqedonas të ndjejnë ngrohtësi dhe miqësi nga Bullgaria për këto çështje, besoni se do të ketë hapësirë për bashkëpunim sa i përket punës së komisionit historik, sa i përket implementimit të protokolleve dhe marrëveshjes për fqinjësi të mirë.”,- tha ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani.
 
Edhe ministri bullgar Millkov tha se Bullgaria ka interes të kthejë rendin pozitiv të marrëdhënieve të ndërsjella, që muajve të fundit ka humbur nga të dyja anët e kufirit. 
 
“Paradoks është se kemi vizion se si zhvillohen marrëdhëniet, paradoks është se kemi mekanizma për zgjidhjen  e problemeve siç është marrëveshja për fqinjësi të mirë dhe njëkohësisht ka dukuri që ndikojnë negativisht në marrëdhëniet e ndërsjella. E dini situatën që ka të bëjë me klubet dhe regjistrimin e bullgarëve në kushtetutë. Ne po flasim për disa çështje që lanë nën hije punët e mira, siç janë këmbimi tregtar, që tejkaloi mbi 1 miliard euro  që deri më tani nuk ka ndodhur.”,- u shpreh ministri i punëve të jashtme të Bullgarisë, Nikollaj Millkov. 
 
Osmani do t’i propozojë Qeverisë që Ligji për regjistrimin e shoqatave do të shkojë në kontroll te Komisionit Venecias  me qëllim të vërtetimit se a ka pika kontestuese në kuadër të ligjit. Këto deklarata u dhanë me rastin e promovimit të këmbimit tregtar mes të dyja vendeve që shënon mbi 710 milion euro dhe u tha se prioritet do të jetë edhe lidhja e tërësishme e korridorit 8. 

FLUTURA LATIFI