Maqedoni
Abazi: Do të punoj me përgjegjësi dhe në bazë të ligjit
08.11.2022 15:05
Shefi i sapozgjedhur i Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi...

Shefi i sapozgjedhur i Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi, në konferencën e parë me mediat deklaroi se zgjedhja e tij në krye të kësaj prokurorie është përgjegjësi dhe motiv për të vazhduar më tutje. Tha se do ta përfaqësojë prokurorinë në mënyrë profesionale dhe ligjore.
“Fillimisht do të njoftohem me gjendjen në prokurori. Prioritet e kam t’i plotësoj vendet e zbrazëta me prokurorë, vendet e zbrazëta në Qendrën e Hetimit dhe të digjitalizojmë prokurorinë publike. 66 votat treguan për karrierën tim, angazhimin tim profesional dhe punën time të deritanishme.”,- tha prokurori për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, Islam Abazi.
Abazi: Nuk jam pjesë e asnjë partie politike
Abazi mohoi të ketë lidhje me ndonjë subjekt politik. Madje asnjëherë nuk ka qenë as anëtar i ndonjë subjekti politike. I pyetur nëse ka lidhje me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, pasi edhe Abazi vjen nga Zajazi, ai u përgjigj se nuk ka asnjë kontakt as me Ahmetin.
“Funksioni i prokurorit publik nuk korrespondon me kryerjen e ndonjë funksioni tjetër publik ose anëtarësi në parti politike, sipas kësaj, asnjëherë nuk kam qenë as nuk jam anëtar i ndonjë partie politike, as në punën time të deritanishme nuk kam lënë përshtypje se unë kam, të themi relacione ose pozicione me parti konkrete politike. Jo me funksionarët të BDI-së, me gjithsecilin mund të shoqërohem, nuk e kemi të ndaluar nëse i njëjti nuk merr pjesë në procedurë apo kundër tij nuk ka lëndë për vepër penale... Për këtë qëllim është kjo mënyrë e zgjedhjes, të mos ketë ndikime nga jashtë, qoftë politike apo të biznesit etj.”,- tha prokurori për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsioni, Islam Abazi.
Përveç karrierës së tij si prokuror, Abazi merr pjesë në shumë grupe të punës për sjelljen e shumë ligjeve dhe akteve nënligjore. Në pozitën e Prokurorit për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, Abazi vjen nga Prokuroria e lartë në Gostivar, ndërsa dje në zgjedhje të drejtpërdrejta fitoi 3 kundërkandidatët e tij me votat e 66 prokurorëve.
FLORIJE BELULI KAMBERI
