Maqedoni

VMRO-DPMNE: Vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme

08.11.2022 16:11

VMRO-DPMNE mbetet në qëndrimin kundër ndryshimeve kushtetuese dhe kërkon shpërbërjen e Parlamentit...

VMRO-DPMNE mbetet në qëndrimin kundër ndryshimeve kushtetuese dhe kërkon shpërbërjen e Parlamentit për të shkuar vendi në zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet do të jenë në një farë mënyre referendum për këto vendime të Qeverisë, vlerësojnë nga VMRO-DPMNE. 
 
“Disa vërejtje në takimin e liderëve të partive politike janë shprehur edhe nga disa përfaqësues të partive në pushtet, prandaj variant më i mirë për të gjithë këtë është që Parlamenti të shpërbëhet dhe të shkojnë në zgjedhje të parakohshme, dhe kjo në njëfarë mënyre do të jetë edhe si referendum ndaj të gjithë kësaj që Qeveria po e servon. Më së miri ky Kuvend të shpërbëhet sa më parë dhe të dalim t’i pyesim qytetarët se çka mendojnë për këto ndryshime kushtetuese, sepse në zgjedhjet e fundit parlamentare askush nga ne nuk kemi kërkuar përkrahje për ndryshime kushtetuese dhe nga këto zgjedhje do të dale edhe përgjigjja se a duhet të realizohen këto ndryshime kushtetuese.”,- deklaroi shefi i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micovski.
 
LSDM: Opozita të ndihmojë rrugën eurointegruese
 
Por, LSDM edhe njëherë fton deputetët e partive opozitare maqedonase që ta ndihmojnë rrugën eurointegruese të vendit.
 
“Thirrja është për të menduar më mirë deputetët e VMRO-DPMNE-së rreth asaj se çka nënkuptojnë futja e bullgarëve në kushtetutën e vendit. Ne kemi një kohë deri sa është duke zgjatur procesi i skriningut të ulemi prapë dhe t’i diskutojmë të gjitha gjërët dhe t’i nxjerrim argumentet dhe në fund të dalim unik për këtë çështje dhe të kemi jo 80 por shumë më shumë se 80 deputetë për ndryshimet kushtetuese. Të gjitha partitë duhet t’i japin mbështetje rrugës integruese, kush çfarë vendimi do të marrë është çështje e partive apo e deputetëve të partive të përfaqësuara në Parlament.”,- tha shefi i grupit parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitreski.
 
Mariçiq: Të mos e bllokojmë veten
 
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri për Integrimet Europiane, Bojan Mariçiq, thotë se situata mund të jetë shumë e vështirë, nëse ne vendosim që ta bllokojmë vetveten me mos ndryshimet kushtetuese. 
 
“Nëse nuk i mbarojmë detyrat tona, lëmë hapësirë që pas mbarimit të skriningut, të mos mundemi ta realizojmë takimin e dytë ndërqeveritar. Unë besoj se të gjithë do të jemi në krye të detyrës dhe të jetë të vetëdijshëm se kësaj rruge europiane duhet t’i japim mundësi, sepse në të kaluarën kemi realizuar edhe ndryshime më të rënda kushtetuese.”,- theksoi zëvendëskryeministri, Bojan Mariçiq.
 
Ai në fund theksoi se deri më tani janë realizuar tre klasterë të bisedimeve për skriningun shpjegues, ndërsa të premten fillon skriningu bilateral dhe fillojmë me hapjen e kapitujve 5 të cilat kanë të bëjnë me shërbimet publike, më pastaj, sipas tij, duhet të bisedohet edhe për kushtetutën, ndërsa procesi i skriningut duhet të përfundojë nga fundi i vitit të ardhshëm. 
 
FITIM KRYEZIU