Botë
Stoltenberg, NATO dhe KFOR-i vigjilent për situatën në Kosovë
08.11.2022 17:39
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka biseduar në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti...

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka biseduar në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
“U kërkova të dyve që të përmbahen nga çdo veprim i një anshëm që mund të shkaktojë përshkallëzim. Dialogu është e vetmja rrugë përpara”, ka shkruar shefi i aleancës në Twitter.
Stoltenberg shtoi se NATO dhe KFOR-i mbeten vigjilentë për situatën atje.
Zyra e kryeministrit të Kosovës njoftoi se ai i kishte përcjellë kreut të NATO-s shqetësimin se “bojkoti i ditëve të fundit në fakt është i nxitur dhe i orkestruar nga Beogradi zyrtar dhe është rezultat i veprimeve të tyre të vazhdueshme destruktive në dialogun ndërmjet dy vendeve”.
Kurti e ka siguruar numrin një të aleancës më të madhe ushtarake të globit se Qeveria dhe institucionet e Kosovës “si gjithmonë do bashkëpunojnë, komunikojnë dhe bashkërenditen ngushtë me aleatët dhe partnerët e saj”.
Vuçiçi nga ana e tij, me një postim në Instagram tha se në bisedën telefonike me Stoltenbergun i ka përcjellë atij bindjen se “Prishtina në mënyrë brutale po shkel Marrëveshjen e Brukselit përmes veprimeve të një anshme”.
