Botë
Zelensky, SHBA-të të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën
08.11.2022 18:01
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje që Uashingtoni të qëndrojë i bashkuar...

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje që Uashingtoni të qëndrojë i bashkuar, teksa janë ngritur pyetje rreth mbështetjes amerikane për shtetin e tij pas zgjedhjeve të mesmandatit, që do të përcaktojnë se kush e kontrollon Kongresin amerikan.
“Iu bëj thirrje të qëndroni të bashkuar, sikurse tani, deri në ditën kur ne të gjithë të dëgjojmë ato fjalë të cilat i ëndërrojmë... derisa të dëgjojmë se paqja më në fund është rivendosur. Demokracitë nuk duhet të ndalen në rrugën e tyre për fitore”, tha Zelensky.
Zgjedhjet në SHBA po mbahen për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit amerikan.Nëse demokratët e Bidenit humbin zgjedhjet, atëherë mund të vihet në pikëpyetje mbështetja e fuqishme e SHBA-së për Kievin.
“Si në çdo shoqëri demokratike, ukrainasit kanë mendime të ndryshme për jetën dhe politikën. Si në rastin e viteve të kaluara, ne kemi qenë të ndarë dhe kemi pasur mëdyshje nëse do të mund të bashkohemi”, tha Zelensky.
Kongresi amerikan ka ndarë 40 miliardë dollarë për Ukrainën në maj, si pjesë e mbështetjes për ushtrinë ukrainase, dhe gjatë kësaj jave Kievi pranoi nga Uashingtoni më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore.
Ndërkohë Kryeministri ukrainas Denys Shmyhal ka deklaruar se nuk e sheh të nevojshme për të evakuuar Kievin apo ndonjë qytet tjetër që nuk është afër vijës së parë të luftës kundër Rusisë.Shmyhal foli në një takim të kabinetit pas sulmeve të Rusisë ndaj sistemit energjetik të Ukrainës.
