Lëkundje të forta tërmeti në Itali, mbyllen shkollat, pezullohen trenat
Dy lëkundje tërmeti shumë të forta...

Dy lëkundje tërmeti shumë të forta janë ndjerë në zona të ndryshme të veriut të Italisë. Një tërmet me magnitudë 5.7 u regjistrua në Marche, në brigjet e Pesaros dhe u pasua nga dy të tjerë me magnitudë më të ulët 3.1 dhe 3.4. Lëkundjet janë ndjerë veçanërisht në katet e sipërme të banesave.
Njerëzit kanë dalë në rrugë, ka pasur shumë raportime nga zjarrfikësit për çarje në muret e shtëpive, pas tërmeteve të forta që pasuan njëri-tjetrin duke filluar nga ora 07:07 e mëngjesit të së mërkurës.
"Po, isha në kuzhinë, u frikësova. Ishte e tmerrshme, nuk kam ndjerë kurrë tërmet si ky.”
“Ishte shumë e fortë, të gjitha dritaret dhe dyert u drodhën.”
“Dolëm të gjithë jashtë, zbathur, siç ishim në shtëpi. Pastaj erdhëm në shkollë për të parë se si ishte situate me fëmijët.”
“Sapo isha zgjuar, shtrati po dridhej dhe dola menjëherë. Ishim me një grup fëmijësh nga vende të tjera që merrnin pjesë në projektin Erasmus, kështu që kishte shqetësim të përgjithshëm për gjithçka, për fat jemi të gjithë mirë”.
“Ishte shumë i fortë, e frikshme, të gjithë dolëm nga shtëpia”- thanë disa nga të intervistuarit.
Në disa qytete, mësimet në shkolla dhe universitete janë pezulluar si masë paraprake, po kështu edhe qarkullimi hekurudhor. Tërmeti është ndjerë edhe në Umbria, Lacio dhe Romë. Tërmeti ishte aq i fortë sa u ndje edhe në rajonet e tjera të Italisë Qendrore. (Gyltene Sinani, TVM2)
