Botë
Ikja e serbëve nga institucionet e Kosovës, Kurti: Kush braktis institucionet, nuk do ligjin
09.11.2022 15:40
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar serbët që të mos i bojkotojnë dhe braktisin institucionet...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar serbët që të mos i bojkotojnë dhe braktisin institucionet, derisa ka thënë se sundimi i ligjit në Republikën e Kosovës nuk është zgjedhje, por obligim. Mungesa e tij, theksoi kryeministri, është kërcënim për të gjithë, me të cilin më së shumti po ballafaqohen qytetarët serb në katër komunat në veri të vendit.
“Me këtë kërcënim më së shumti po ballafaqohen bashkëqytetarët tanë në katër komunat në veri të vendit. Presioni dhe sulmet ndaj tyre nga banda e individë kriminal janë vetë dëshmia se çfarë prodhon mungesa e sundimit të ligjit. Problemi i tyre nuk janë vendimet tona as afatet që parashihen në to. 1012 vërejte janë lëshuar deri sot në mëngjes asnjë incident i shënuar dhe asnjë ankesë e regjistruar. Problemi i tyre janë sulmet me bomba, djegia e veturave dhe shtëpive, trysnitë dhe kërcënimet pa afat nga ata që kanë problem me ligjin.”,- tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Refuzuan urdhrat e qeverisë së Kosovës, Vuçiq nderon policët që hoqën uniformat
Ndërkohë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dekoruar policët që refuzuan urdhrat e qeverisë së Kosovës me medalje,midis tyre ish-drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Mitrovicës së Veriut, Nenad Gjuriq, dhe shefin e Operacioneve Rajonale të kësaj drejtorie, Aleksandar Filipoviq.
“Keni bërë atë që jua donte zemra dhe keni vepruar me nder kur ju kanë penguar të kryeni detyrën, sepse as atëherë nuk keni dashur t’i shkelni ligjet.”, ka theksuar Vuçiq.
Më 3 nëntor, autoritetet e Kosovës suspenduan Gjuriqin nga posti i drejtorit të policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, pasi ai refuzoi të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme. Deri më tani, autoritetet e Kosovës kanë konfirmuar se afro 600 policë në veri kanë dhënë dorëheqje. Më 1 nëntor, Qeveria e Kosovës ka filluar zbatimin e planit -për riregjistrimin e veturave me targa të Serbisë, në ato legale RKS në Republika e Kosovës. Faza e parë parasheh dhënien e vërejtjes për vozitësit me vetura me targa të tilla, e dyta parashikon gjobë prej 150 euro dhe në fazën e tretë do të përdoren targa provë. Qeveria e Kosovës ka thënë se pas 21 prillit 2023, veturat që nuk kanë targa RKS nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë.
NAIM RAMADANI
