Maqedoni
Sërish kërcënime me bomba në 9 shkolla, MPB: Bëhet fjalë për paraqitje të rreme
09.11.2022 16:09
Jashtë bankave shkollore sërish u gjenden nxënës nga nëntë shkolla të mesme në Shkup...

Jashtë bankave shkollore sërish u gjenden nxënës nga nëntë shkolla të mesme në Shkup. Arsyeja për këtë është që në adresat elektronike për të gjashtën herë radhazi u evidentuan kërcënime për vendosje të bombave. Nga MPB bënë të ditur se pas kontrolleve nëntë shkolla është vërtetuar se bëhet fjalë për paralajmërime të rrejshme. Ministri Spasovski tha për disa media se dihet prej nga vinin e-mailat dhe një prej burimeve të sulmeve hibride është Zvicra, por nuk kanë informata më konkrete nga institucionet që sipas tij janë të mbyllura.
Nxënësit: Paralajmërime të rreme, por ne s’bëjmë mësim
Nxënësit ankohen se paralajmërimet e rreme për bomba pengojnë rrjedhën normale të procesit arsimor.
“Shumica e këtyre lajmeve janë të rrejshme, dy-tre herë po ndodh, nuk është hera e parë dhe na shkakton problem në mësim. I mbajmë vetëm dy-tre orë dhe na shkakton edhe pak frikë.”,- theksoi një nxënës.
“Po ndjehemi të frikësuar sapo vijmë në shkollë, menjëherë po na evakuojnë jashtë dhe në mëngjes është ftohtë. Iu kisha lutur të mos bëjnë këso lajme, të mos thërrasin pa nevojë.”,- theksoi një nxënës.
Situatë e njëjtë edhe në Shkollën e Mesme “Vllado Tasevski”, ku mësimi do të vijojë në ndërrimin e dytë.
“Siç e pash në biber, mësimi mund të vazhdojë, unë sapo erdha dhe nuk shoh se po ndodh diçka.”,- u shpreh një nxënës.
“Hyri pastruesja dhe na tha të dilnim jashtë, unë personalisht nuk u frikova.”,- tha një nxënës.
“Veprojmë fillimisht sipas planit të evakuimit, pas paraqitjes për vendosjen e eksplozivit dhe në mënyrë shtesë kemi edhe rekomandime nga policia për disa veprime që duhet t’i bëjmë për të lehtësuar procedurën që kontrollet të jenë më ekspeditive, sepse siç na thanë nga policia, bëhet fjalë për sulme hibride të cilat ndodhin në shumë shkolla.”,- deklaroi drejtori i Sh. M. “Vllado Tasevski”, Aleksandar Srbinoski.
Kovaçevski: Po targetohen caqe të ndjeshme
Paralajmërimet për bomba janë pjesë e strategjisë për sulme hibride, konsideron kryeministri Kovaçevski.
“Gjatë paralajmërimeve të tilla MPB duhet të reagojë, sepse bëhet fjalë për shkolla. Jorastësisht target janë shkollat, sepse njerëzit janë më të ndjeshëm kur bëhet fjalë për shkolla ku mësojnë nxënësit. Sektori për krim elektronik po i analizon të gjitha të dhënat që të kuptohet se nga vijnë paralajmërimet e rreme. Shpresoj se ata që po bëjnë këtë do të kuptojnë se Evropa duhet të jetojë në paqe dhe jo me frikë dhe paqartësi.”,- tha kryeministri, Dimitar Kovaçevski.,
Kjo është java e tretë me radhë që shkollat përballen me kërcënime të rrejshme për vendosje të bombave.
FLUTURA LATIFI
