Maqedoni
Do largohen mbetjet nga spitali modular, Sali: Procedura stërzgjatet shkak i burokracive
09.11.2022 17:02
Më shumë se një vit pritje që të largohen mbetjet e djegies, Spitalit modular në Tetovë i erdhi fundi...

Më shumë se një vit pritje që të largohen mbetjet e djegies, Spitalit modular në Tetovë i erdhi fundi. Prokuroria i dha leje Ministrisë së Shëndetësisë për heqjen e tyre. Vonesat për pastrimin e modularit në Tetovë, ministri i shëndetësisë, Bekim Sali, i arsyeton me atë se pa dhënë leje prokuroria e shtetit nuk mund që të intervenonin dhe si rast ishte specifik.
“Procedurat janë shumë të gjata e shpeshherë shkaku i paqartësive mes institucioneve se kush i ka ingerencat, pastaj edhe specifika e rastit që ishte, ne s`mundeshim të marrim masa pa dhënien e lejes nga ana e prokurorisë për spitalin modular. Pas marrjes së lejes e kemi fazën e dytë të prokurimit për kompaninë që do merr mbi vete heqjen e mbetjeve. Unë besoj se jemi në fazën e fundit tashmë.”,- tha ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.
Amir Elezi - drejtori i Spitalit të Tetovës, deklaroi se tenderi është hapur. Pritet të bëhet përzgjedhja e firmës dhe brenda muajit pritet edhe heqja e këtij modulari.
“Tre ofertues janë paraqitur dhe në suaza të gjithë asaj procedure të prokurimit publik që duhej t’i nënshtrohemi si institucion, tash jemi në fazën e shqyrtimit të ofertave të tre ofertuesve dhe do përzgjedhim edhe ofertuesin që do bëj largimin e spitalit modular. Unë besoj se shpejt do ndodh pra jemi në fazën finale të largimit të mbetjeve të spitalit modular.”,- theksoi drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Amir Elezi.
Me tetë shtator të vitit të kaluar si pasoj e djegies së Spitalit Modular në Tetovë jetën e humbën 14 persona. Për këtë rast gjykimi ende nuk ka filluar pasi të martën u anulua seanca e tretë me arsyetimin se Boban Vuceski, drejtori i spitalit modular që është një nga tre të pandehurit, nuk ka pasur avokat mbrojtës. Seancën e radhës Gjykata Themelore e Tetovës e caktoi më 7 dhjetor.
VISAR SADIKI
