Maqedoni
Aksidenti në malin Sharr, QMK: Alpinisti i dytë gjendet i vdekur
09.11.2022 18:14
Është nxjerrë i vdekur alpinisti i dytë që bashkë me shokun e tij u rrëzuan në një humnerë 600 metra thellë...

Është nxjerrë i vdekur alpinisti i dytë që bashkë me shokun e tij u rrëzuan në një humnerë 600 metra thellë, të martën mbrëma. Alpinisti i parë lajmëroi aksidentin. Ai arriti të shpëtojë gjallë megjithëse me lëndime, e është shtruar në spitalin e Tetovës. Për shkak të errësirës dhe terrenit të paarritshëm, gjatë natës ishte e pamundur gjetja e alpinistit të dytë, trupi i të cilit u nxor me helikopter këtë të mërkurë. Në operacionin e shpëtimit u angazhua edhe një alpinist profesionist që shpëtoi jo vetëm të aksidentuarin e parë, por edhe një pjesëtar policor nga njësitet e ndërhyrjes së shpejtë.
“Nadiri vendosi të zbriste në këmbë, vetëm me pajisje alpinistike. U drejtua me guxim njerëzor, do të thosha në një akt heroik nëpër këtë grykë dhe duke lëvizur poshtë, fillimisht takoi personin që ra i pari - i cili ishte pa ndjenja dhe kishte lëndime të dukshme. Alpinisti Nadir nuk ia ndjente atij pulsin. Në atë kohë ai dëgjoi oficerin e policisë nga NJNSh duke thirrur. Nadiri shkoi pas tij që ishte afër, nuk mundi ta dallonte vetëm me zë, por vuri re dritën e radiostacionit të tij që shkëlqente dhe më pas arriti ta shpëtonte policin nga radhët e NJNSH-së.”,- tha drejtori i QMK-së, Stojançe Angellov.
Sindikata e Alpinistëve: Alpinizmi - rrezik nëse nuk respektohen rregullat
Të gjitha malet, sipas definicionit janë vende të rrezikshme dhe alpinizmi si sport, është aktivitet i rrezikshëm nëse nuk respektohen rregullat, thonë nga sindikata e alpinistëve.
“Ne nuk mund të ndikojmë në rreziqet objektive, por mund të parashikojmë kushtet e motit. Rreziqet subjektive varen personalisht nga alpinistët dhe ne duhet të jemi të vetëdijshëm për rrezikun që po marrim dhe ta zvogëlojmë atë rrezik. Blerja e pajisjeve profesionale është vetëm një pjesë, por jo kërkesa e vetme, për t'u ndjerë të sigurt. Alpinistët amatorë që blejnë pajisje cilësore, fitojnë vetëbesim të rremë dhe nuk respektojnë rregullat.”,- u shpreh Aleksandar Stojanovski nga Komisioni për Udhërrëfyes Alpinistësh pranë FPSM-së.
Sindikata e Alpinistëve vendosi që për të parandaluar ngjarje të pakëndshme si ajo e së martës, duhet të punohet në ndërgjegjësimin për respektimin e rregullave të rrepta.
FITORE DEMOLLI
