Putin nuk do të marrë pjesë në Samitin e G-20
Presidenti rus, Vladimir Putin....

Presidenti rus, Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në samitin e G20-ës në Indonezi javën e ardhshme, duke shmangur një konfrontim të mundshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj për shkak të luftës në Ukrainë.
Një zyrtar indonezian tha se vendimi i Putinit për të mos marrë pjesë ishte "më i miri për të gjithë".
Delegacionin rus do ta udhëheqë shefi i diplomacisë Sergej Lavrov.
Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, presidenti kinez Xi Jinping dhe liderë të tjerë botërorë do të marrin pjesë në samitin dy-ditor që fillon më 15 nëntor.
Presidenti indonezian Joko Widodo është nikoqir i mbledhjes së 20 ekonomive më të mëdha në botë në ishullin Bali.
Mbetet ende e pa qartë pjesmarrja e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.
Vendimi i Putinit për të mos marrë pjesë në G-20 vjen pasi forcat ruse në Ukrainë kanë pësuar pengesa të konsiderueshme.
Tërheqja e paralajmëruar e Rusisë nga qyteti Herson së bashku me një ngërç të mundshëm në luftimet gjatë dimrit mund t'u japë të dy vendeve një mundësi për të negociuar paqen, tha të mërkurën gjenerali i ushtrisë Mark Milley, kryetar i Shtabit të Përbashkët të SHBA-së.
Ai tha se rreth 40,000 civilë ukrainas dhe “mbi” 100,000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur në luftë, tani në muajin e nëntë të saj.
