Bekteshi: Produktet bazë do të ulen nga 5 deri në 12%
10.11.2022 14:00
Produktet ushqimore bazë si buka, qumështi dhe produktet e qumështit...

Produktet ushqimore bazë si buka, qumështi dhe produktet e qumështit, si dhe produktet e mishit pritet të ulen prej 5 deri në 12% brenda dhjetë ditëve të ardhshme. Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, tha se me subvencionimin e rrymës për kompanitë e kësaj industrie janë krijuar kushtet për të ulur çmimet. Paralajmëroi ulje të mëtejshme nga muaji i ardhshëm.
“Në dhjetë ditët e ardhshme presim që të ketë ulje të produkteve bazë, në veçanti të produkteve të cilat janë vendosur në kuadër të vendimit për përcaktimin e marzhave në tregti me shumicë dhe pakicë prej 5 dhe 12% dhe ajo duhet të fillojë menjëherë. Dhe duke marrë parasysh që nga 1 dhjetori do të ketë çmim të subvencionuar prej 80 eurosh në megavat orë, presim që ky zvogëlim të jetë edhe më i madh duke filluar nga 1 dhjetori.”,- deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Çmimet e produkteve të qumështit pritet të zbriten për 4 deri në 5 ditë, kurse ato të mishit në fund të javës së ardhshme. Bekteshi apeloi edhe qytetarët që nëse vërejnë parregullsi me çmimet të paraqesin rastet.
“Të gjithë konsumatorët, të gjithë qytetarët të cilët vërejnë se nuk ka zbritje të çmimeve të produkteve bazë në markete të caktuara të paraqesin Inspektoratin e Tregut dhe menjëherë inspektorati do të marrë masat e duhura, do të bëjë kontrollet e duhura dhe në atë mënyrë të gjithë të kontribojmë që të respektojmë ligjet, normat ligjore në Maqedoninë e Veriut dhe të mos lejojmë që këtë krizë ta shfrytëzojë për përfitime personale.”,- u shpreh Bekteshi.
Bekteshi gjithashtu tha se nuk pritet që të ketë probleme me furnizimin me energji elektrike, ndërsa tha se janë duke u bërë të gjitha parapërgatitjet që nga 1 janari mos të ketë rritje drastike të energjisë elektrike. (Ersan Pajaziti, TVM2)
