ASHAAV, shënohet 25 vjetori i rregullatorit të mediave

10.11.2022 14:21

Raportet E Bashkimit Evropian shënojnë progres në fushën e mediave....

Raportet E Bashkimit Evropian shënojnë progres në fushën e mediave, por duhet të punohet në inicimin e reformave mediatike, sigurimin e pavarësisë dhe stabilitetit financiar në Servisin Publik dhe Rregullatorit të mediave, theksoi presidenti Stevo Pendarovski në 25 vjetorin e themelimit të ASHAAV. Sipas tij, me hapjen e negociatave me BE-në, reformat në sektorin e medias do të jenë të pashmangshme.

“Në disa raporte të kaluara, Komisioni Evropian vë në dukje përmirësimin e sferës mediatike dhe qasjen proaktive të rregullatorit të medias në inkurajimin e pluralizmit mediatik, përkushtimin për avancimin e standardeve profesionale gazetareske dhe promovimin e edukimit mediatik. Duke pasur parasysh nevojën që tendenca të tilla të vazhdojnë, është e nevojshme të punohet për intensifikimin e reformave në media, por edhe për sigurimin e pavarësisë dhe stabilitetit financiar të Servisit Publik dhe Rregullatorit të Medias, ku përfshihet edhe transferimi i fondeve të kërkuara nga buxheti për zhvillimin e veprimtarisë radiodifuzive.”,- tha presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski.
 
Ndërkohë ambasadori i BE-së David Geer vlerëson se Maqedonia e Veriut ndodhet në një fazë shumë të rëndësishme në procesin e integrimeve evropiane. Mediat, siç tha ai, janë vendimtare në këtë rrugë dhe kërkoi që të punohet më intensivisht në rekomandimet e BE-së. Drejtori Trajçeski njoftoi se vitin e ardhshëm korniza ligjore në fushën e mediave do të jetë plotësisht në përputhje me atë evropiane.
 
“Akti për lirinë e medias synon ndër të tjera që të mos ketë ndërhyrje në lirinë e medias, të mos ketë aktivitete që cenojnë rregullat e gazetarëve, mediat e pavarura publike dhe natyrisht ekzistencën e transparencës në pronësinë e medias.”,- theksoi ambasadori i BE-së në RMV, David Geer.
 
“Ekspertë nga vendet anëtare të BE-së janë duke punuar në harmonizimin e rregullativës mediatike maqedonase me direktivën e ndryshuar për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele. Ai projekt ka filluar në shtator të këtij viti dhe duhet të përfundojë në shtator të vitit të ardhshëm dhe më pas do të ketë një draft version të ligjit të mediave, ligjit për Shërbime mediatike audio dhe audiovizive në përputhje me direktivën e ndryshuar.”,- theksoi drejtori i ASHAV-sl, Zoran Trajçevski.
 
Me rastin e 25-vjetorit të themelimit, ASHAAV realizoi një takim me rregullatorët e medias të Sllovenisë, Kroacisë, BiH, Serbisë, Malit të Zi, Kosovës, Shqipërisë dhe Bullgarisë. (Naim Ramadani, TVM2)