Maqedoni

Rikonstruim i qeverisë, Kovaçevski përgënjeshtron përfshirjen e ASH-së

10.11.2022 14:42

Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, ka përgënjeshtruar zërat për një rikonstruim të mundur të qeverisë....

Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, ka përgënjeshtruar zërat për një rikonstruim të mundur të qeverisë me përfshirjen e Aleancës për Shqiptarët në të. Kryeministri thekson se nuk ka propozuar ndërrim të ministrave e aq më pak që ministri i shëndetësisë, Bekim Sali, nga radhët e Alternativës të zëvendësohet me kuadër të ASH-së.

“Për momentin, qeveria funksionon me shumicë prej 64 deputetëve dhe kjo u vërtetua në zgjedhjen e ministrit të ri për vetëqeverisje vendore. Unë si kryeministër nuk kam pasur bisedime, pasi që kryeministri propozon ministra në qeveri sa i përket rikonstruimit të qeverisë. Andaj gjithçka që shkruhet është në kornizat e spekulimeve.”,- tha kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Deklarata e Kovaçevskit ka vijuar pasi një pjesë e mediave publikuan lajmin se ai së bashku me liderin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, këtyre ditëve kanë negociuar për hyrje të Aleancës në qeveri, për të zëvendësuar Alternativën. Alternativa nuk ka informacione se Aleanca për Shqiptarët mund të zë vendin e tyre në Qeveri.
 
“Largimin e Alternativës nga koalicioni nuk e vendos askush tjetër, përveç organeve partiake të Alternativës, të cilat vendosën për hyrjen e Alternativës në Qeveri. Alternativa e stabilizon këtë qeveri. Ne nuk kemi hyrë në qeveri sepse jemi lutur apo vardisur, por sepse na kanë kërkuar një sërë faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm, për shkak të procesit të eurointegrimit. Shumica parlamentare është e qëndrueshme dhe nuk ka nevojë për një përforcim tjetër.”,- thonë nga Alternativa.
 
Zërat e tilla ka refuzuar ti komentoj edhe kreu i ASh-së Arben Taravari. Nga partia e tij thonë se nuk kanë ftesë zyrtare për hyrje në qeveri.
 
Sipas kalkulimeve përforcimi me ASH-në do të ishte i favorshëm për koalicionin qeverisës LSDM – BDI, pasi që në kuvend do t’iu shtoheshin edhe 8 deputetë të ASH-së.
 
MERAL ISMAILI