Maqedoni

Në Spitalin e përgjithshëm të qytetit “8 Shtatori” u hap qendra e re për rezonancë magnetike

10.11.2022 15:04

Në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” u hap qendra e re diagnostike e pajisur me aparatura për rezonancë magnetike....

Në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” u hap qendra e re diagnostike e pajisur me aparatura për rezonancë magnetike. Pajisjet janë furnizuar në kuadër të Programit për racionalizimin e menaxhimit dhe modernizimin e teknologjisë biomjekësore në sektorin e shëndetësisë, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Italisë. Autoritetet shëndetësore thonë se bëhet fjalë për teknologjinë më të re me magnet të hapur e me qëllim të përmirësimit të kushteve për trajtimin e pacientëve në këtë spital.
 
“Promovojmë, tregojmë dhe dëshmojmë njohuritë dhe fuqinë tonë prej vitesh, për suksesin tonë ka rëndësi të madhe edhe ndihma që marrim nga Ambasada italiane dhe këto pajisje që po promovojmë janë grand nga Ambasada italiane dhe u jemi shumë mirënjohës.”,- tha drejtori i Spitalit të përgjithshëm “8 shtatori”, Hristijan Kostov.
 
“Aparatet janë blerë në kuadër të një furnizimi të madh të më shumë aparateve në vlerë totale të 1.1 milion eurosh… Për t’i vënë në funksion këto aparate tashmë  është duke u trajnuar kuadri nga trajnues nga Italia dhe pritet që në fillim frekuenca të jetë nga 15 pacientë në ditë me çka presim ta lirojmë edhe aparatin ekzistues të rezonancës magnetike i cili deri më tani ka qenë shumë i ngarkuar.”,- tha ministri i shëndetësisë, Bekim Sali.
 
“Dërgesa e pajisjeve të fundit mjekësore  është një dëshmi për lidhjet e mira mes vendeve tona, miqësi që është konstante për marrëdhëniet tona dypalëshe.”,- u shpreh ambasadori italian, Andrea Silvestri.
 
Në këtë aktivitet morri   pjesë kryeministri, Dimitar Kovaçevski. Ai tha se me këto aparatura do të rritet numri i pacientëve që do të marrin shërbime në baza ditore dhe se një nga prioritetet e Qeverisë është shëndetësia, tha Kovaçevski.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI