Osmani nga Estonia: Vendet baltike ndihmojnë integrimin tonë

10.11.2022 15:47

Integrimi i vendit në Bashkimi Evropian, situata politike rajonale dhe nevoja urgjente për dialog....

Integrimi i vendit në Bashkimi Evropian, situata politike rajonale dhe nevoja urgjente për dialog dhe respekt të ndërsjellë mes palëve për mbylljen e çështjeve të hapura, kanë qenë pjesë e diskutimeve midis ministrit të jashtëm, Bujar Osmani, dhe homologut të tij estonez, Urmas Reinsalu. Mbështetja nga Estonia në kuadër të “Grupit të Miqve të Zgjerimit” së bashku me shtetet e tjera baltike është në favor të ruajtjes së perspektivës evropiane dhe avancimit të proceseve në Ballkanin Perëndimor, ka thënë Osmani.
 
“Shpreha falënderimin tim për përkrahjen konzistente dhe të zëshme të Estonisë për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Vendi ynë këtë vit i ka filluar bisedimet aderuese. Bashkëpunojmë dhe ndajmë përvoja me Estoninë në punët të cilat në procesin tonë kanë rëndësi të madhe. Kemi projekt dypalësh në fushën e digjitalizimit  dhe sigurisë kibernetike.”,- u shpreh ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
 
Ministri i jashtëm i Estonisë, Reinsalu: Ballkani perëndimor në BE s’ka alternativë
 
Ministri i jashtëm estonez Reinsalu ka nënvizuar qëndrimin afirmativ të Talinit zyrtar për mbështetjen e vazhdueshme të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, jo vetëm përmes mbështetjes bilaterale zhvillimore, por edhe përmes promovimit të nevojës për progres të rajonit të Ballkanit Perëndimor  drejt Bashkimit Evropian.
 
“Marrëdhëniet tona janë të pastra. Ndajmë vlera të njëjta. Estonia është njëra prej përkrahësve të RMV-së në rrugën drejt integrimit të plotë në BE. Falënderojmë për përkrahjen ushtarake të cilën RMV ia ofroi Ukrainës. Në raport me BE-në dhe NATO-n, Ballkani Perëndimor nuk ka alternativë tjetër. Estonia i përkrah të gjitha iniciativat për stabilizimin e situatës për vizionin e shteteve në rrugën që kanë zgjedhur.”,- theksoi ministri i jashtëm i Estonisë, Urmas Reinsalu.
 
Dy ministrat janë dakorduan për nevojën e vendimeve gjeostrategjike në kohë të rreziqeve serioze gjeopolitike dhe luftës në Ukrainë, si dhe për unitet dhe solidaritet midis të gjithë aktorëve, në ruajtjen e stabilitetit, sigurisë dhe paqes në kontinentin evropian. Në kuadër të vizitës së tij në vendet baltike, Osmani  të premten vazhdon turin diplomatik në Letoni. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)