Ukrainë, pesë të vrarë nga një sulm rus në Mikolajiv
Të paktën pesë persona u vranë pas një sulmi rus në një ndërtesë banimi në qytetin jugor të Mikolajiv në Ukrainë....

Të paktën pesë persona u vranë pas një sulmi rus në një ndërtesë banimi në qytetin jugor të Mikolajiv në Ukrainë.
Sulmi ndodhi pasi Rusia tha se po i tërhiqte trupat nga qyteti i afërt i Hersonit. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se sulmi ishte një "përgjigje cinike ndaj sukseseve tona në front".
“Sulm në një godinë banimi pesëkatëshe. E shkatërruar nga kati i pestë deri në katin e parë.”, tha ai në rrjetet sociale
Zyrtarët ukrainas janë shfaqur të matur pasi Moska sinjalizoi të mërkurën se do t'i tërheqë forcat nga bregu perëndimor i lumit Dnipro në Herson, në atë që do të ishte një pengesë e madhe ruse në një rajon që Vladimir Putini pretendonte se e kishte aneksuar.
Ndërkohë Qeveria gjermane ka njoftuar se ka ndarë një miliard euro shtesë nga buxheti i saj i vitit 2023 për të mbështetur Ukrainën. Një pjesë e parave janë ndarë për mbrojtjen e Ukrainës kundër sulmeve kibernetike ruse dhe mbledhjen e provave të krimeve të luftës.
