Maqedoni
Kërçova shënoi 40 vjetorin e bashkimit politik për çlirim dhe bashkim kombëtar
12.11.2022 16:15
Në organizim të Shoqërisë Lëvizja dhe komunës së Kërçovës, mbrëmë në Qendrën për Kulturë në Kërçovë...

Në organizim të Shoqërisë Lëvizja dhe komunës së Kërçovës, mbrëmë në Qendrën për Kulturë në Kërçovë u mbajtë Akademia e mirënjohjes kushtuar 40 vjetorit të bashkimit të organizatave politike në përpjekjet për liri e bashkim kombëtar, ku mori pjesë edhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti, familje dëshmorësh, veteranë të luftës, të burgosur politik dhe veprimtarë nga Kosova dhe Maqedonia.
Bashkimi i organizatave patriotike shqiptare është një ngjarje e rëndësishme e organizimit politik që bëri kthesën e madhe në Lëvizjen Kombëtare dhe hapi rrugën e çlirimit dhe bashkimit kombëtar. Rikujtimi i 40 vjetorit të organizimit të LPK duhet të vlersohet, sepse kjo që përkujtojmë sot nuk ka ardhur nga qielli por falë atyre gjeneratave që sakrifikuan jetën për idealet kombëtare, potencoi lideri i BDI-së Ali Ahmeti, i cili me këtë rast e përgëzoi Këshillin inicues për organizimin e këtij manifestimi përkujtimor të mirënjohjes ndaj atyre që bënë aq shumë për këtë që ne po përjetojmë sot.
Për rolin dhe rëndësinë e bashkimit të organizatave politike, folën edhe kryetari i Kërçovës Fatmir Dehari dhe veprimtarët Hasan Bekteshi, Musa Demiri, Xhevat Bislimi dhe Ismail Latifi.
Në fund të manifestimit, Shoqëria Lëvizja u ndau mirënjohje veprimtarëve që kontribuan në organizimin e rezistencës kombëtare gjatë rrugëtimit 40 vjeçar të veprimtarisë atdhetare.
SHABAN DALIPI
