Botë

Turqi: shpërthim në stamboll, ka viktima dhe të plagosur

13.11.2022 15:41

Të paktën 6 persona kanë vdekur dhe dhjetëra janë plagosur në një shpërthim në rrugën historike Istiklal të Stambollit...

Të paktën 6 persona kanë vdekur dhe dhjetëra janë plagosur në një shpërthim në rrugën historike Istiklal të Stambollit. Pamjet tregojnë ambulanca, kamionë zjarrfikës dhe police në vendngjarje. Ekipet e policisë morën masa sigurie në zonën ku ndodhi shpërthimi. Presidenti turk Rexhep Taip Erdoğan bëri të ditur se sipas përcaktimeve fillestare, ngjarja kishte lidhje me terrorizmin dhe se vendimi përfundimtar do të merret pas hetimeve. 
 
“Përpjekjet për të pushtuar Turqinë dhe kombin turk përmes terrorizmit nuk do të funksionojnë. Të gjithë elementët do të zbardhen dhe autorët do të ndëshkohen. Sipas informacioneve që morëm nga Guvernatori i Stambollit, Janë 6 të vdekur, 4 prej të cilëve në vendin e krimit dhe 2 në spital. 53 të tjerë janë lënduar. Do të ishte gabim nëse themi se ky është me siguri akt terrorizmi, por  zhvillimet e para, informacioni që na përcolli guvernatori, tregon se I vjen “erë” terrori. Ka të dhëna se në sulm është e përfshirë  një grua. Vazhdon hetimi I kamerave të sigurisë në zonë”, u shpreh presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
 
Zyra e Kryeprokurorit Publik të Stambollit nisi një hetim të menjëhershëm dhe ka emëruar pesë prokurorë publikë. Gjykata Penale e Stambollit ka lëshuar ndërkohë një urdhër për ndalim transmetimi për të gjitha lajmet audio vizive dhe ato në  rrjeteve sociale që lidhen me shpërthimin.
 
“Ftojmë organizatat mediatike të jenë të përgjegjshme, të mos mbështeten në përmbajtje mashtruese me burim nga mediat sociale dhe të marrin si bazë vetëm deklaratat e autoriteteve përkatëse”, thonë nga prokuroria.
 
Bulevardi ku ndodhi shpërthimi është i frekuentuar nga turistët dhe banorët lokalë dhe aty gjenden dyqane dhe ristorante tepër të frekuentuara.Turqia është goditur nga një seri bombardimesh vdekjeprurëse ndërmjet viteve 2015 dhe 2017, përgjegjësinë e të cilave e  morën grupi militant Shteti Islamik dhe militantët kurdë.
 
MIGENA GORENCA