Maqedoni
Mbledhja e dy qeverive në Shkup, Kovaçevski: RMV dhe Shqipëria, shembull i fqinjësisë së mirë
14.11.2022 10:52
Sot në Shkup po mbahet mbledhja e perbashket ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë....

Sot në Shkup po mbahet mbledhja e perbashket ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Kjo është mbledhja e dytë e përbashkët mes Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe asaj të Shqipërisë.
Pas arritjes në Shkup, kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama dhe ministrat e kabinetit u pritën me ceremoni shtetërore nga nikoqiri i tij Dimitar Kovaçevski. Pas realizimit të takimit Rama Kovacevski, filloi edhe seanca plenare mes dy qeverive, e cila u bë e hapur nga dy kryeministrat.
Pas kësaj filluan edhe diskutimet mes anëtarëve të dy qeverive me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit mes dy vendeve. Në këtë mbledhje pritet të finalizohen një sërë marrëveshjesh e memorandumesh ndërqeveritare Shqipëri – Maqedoni e Veriut.
Kreu i qeverisë deklaroi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë të pandryshueshme rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe këtë gjë e treguan dhe në pozicionimin e tyre përballë luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Ne kemi qëllim të njëjtë, anëtarësimin në BE. RMV dhe Shqipëria janë shembull si ndërtohen marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Kemi vendosur shtylla të fuqishme për autostrada dhe hekurudha që do të lidhin vendin tonë. Sot RMV dhe Shqipëria janë në rrugën Europiane. Dy vendet tona qëndrojnë në anën e paqes dhe këtë e treguan dhe në luftën në Ukrainë. BE e kuptoj se interesi i saj strategjik është që Ballkani të jetë pjesë e Europës. Hapja e negociatave dhe screening është një hap shumë i rëndësishëm. Për ne identiteti maqedonas dhe gjuha maqedonase është shumë e rëndësishme”, tha Kovaçevski.
Rama: Putin synon gjunjëzimin e Perëndimit
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha në fjalën e tij se Rusia, me luftën në Ukrainë, synon të gjunjëzojë Perëndimin dhe te ne ka ardhur tashmë lufta me anë të rritjes së inflacionit.
“Rikthehemi për një tjetër takim të rëndësishëm, një mbledhje të dy qeverive, por në një kontekst krejtësisht tjetër sa i takon situatës në Europë dhe në rajon. Lufta e Putinit në Ukrainë godet, shkatërron, hap plagë dhe dëbon njerëz nga vendi i tyre në atë zonë, por nga ana tjetër është e provokuar pikërisht për të gjunjëzuar perëndimin, për të gjunjëzuar bashkësinë euroatlantike, të gjitha vendet në Perëndim të Rusisë, pjesë ku jemi edhe ne. Lufta nuk ka ardhur me bomba, as me shkatërrime fizike, por me çmimet stratosferike të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare dhe me inflacionin e luftës, i cili ka vënë në vështirësi të gjitha vendet. S’ka asnjë rrugë tjetër përballimi i sfidave krijimi i sa më shumë sinergjive të reja, kemi shumë për të bërë me njëri-tjetrin”, tha Rama.
