Maqedoni
Asociacioni për Diabet te Fëmijët: Prindërtit blejnë senzorë për matje pa dhimbje
14.11.2022 15:51
Pacientët me diabet në vend ende nuk kanë sensorë që do të masnin pa dhimbje glikeminë...

Pacientët me diabet në vend ende nuk kanë sensorë që do të masnin pa dhimbje glikeminë, thonë në ditën botërore të personave me diabet organizatat që përfaqësojnë këtë kategori qytetarësh. Nga Asociacioni për Diabet te Fëmijët, thonë se numri i fëmijëve me diabet në vend është në rritje, ndërsa shpenzimet e prindërve që blejnë sensorët jashtë vendit janë mesatarisht rreth 1500 euro në vit. Nga kjo shoqatë thonë se kanë kaluar pesë vjet nga dërgimi i kërkesës në institucionet kompetente dhe shpresojnë se këtë vit më në fund do të ketë zgjidhje për këtë çështje.
“Diabeti është një gjendje kronike shumë e rëndë në të cilën komplikimet janë pothuajse të pashmangshme. Besojmë se Ministria e Shëndetësisë do të bëjë përpjekje dhe fëmijët më në fund do të marrin sensorët. Numri i fëmijëve me diabet është në rritje, jo vetëm në vend, por edhe globalisht. Obeziteti tek fëmijët është problem në rritje, dhe me këtë, ka problem edhe te popullata pediatrike. Sa i përket terapive nuk ka mungesë. Ne kemi terapi të rregullt me insulinë si për tipin një ashtu edhe për tipin 2. Ne vazhdojmë të luftojmë për çdo gjë inovative.”, tha Natasha Despotovska-Dimitrievska nga Asociacioni për Diabet te Fëmijët.
Lidhja e Shoqatave të personave me Diabet: Prej një javësh ka mungesë insuline
Kryetari i Lidhjes së Shoqatave të personave me Diabet, Dime Velev, thotë se për rreth një javë përballen me mungesë të insulinës, që sipas tij nuk është një periudhë e gjatë.
“Filluam sërish me solidaritet në rrjetet sociale, me telefon, me një suplement mes nesh. Farmacitë e insulinës kanë marrë informacione se do të ketë një periudhë të caktuar mungesë dhe kanë filluar ta reduktojnë atë, pra po japin më pak për më shumë njerëz. Ajo që kemi si informacion është se tenderi i mëparshëm është iniciuar dhe duhet plotësuar procedura, gjegjësisht ka pengesë administrative sa i përket nënshkrimit të dokumentacionit për dorëzimin e sasive shtesë.”, tha Dime Velev, kryetar i Lidhjes së Shoqatave të personave me Diabet.
Nga sindikata e shoqatës së personave me diabet thonë se në vend zyrtarisht janë rreth 46.000 persona që marrin insulinë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
