Indonezi, takim tre orësh Biden – Xi Jinping

14.11.2022 20:02

Presidenti amerikan Joe Biden dhe presidenti kinez, Xi Jinping.....

Presidenti amerikan Joe Biden dhe presidenti kinez, Xi Jinping, zhvilluan bisedime për rreth tre orë në takimin e tyre të parë të drejtpërdrejtë që kur presidenti amerikan mori detyrën.

Takimi kishte për qëllim "menaxhimin" e mosmarrëveshjeve midis superfuqive. Presidenti Joe Biden kundërshtoi "veprimet detyruese dhe gjithnjë e më agresive" të Kinës ndaj Tajvanit dhe ngriti shqetësime për të drejtat e njeriut në lidhje me sjelljen e Pekinit në Xinjiang, Tibet dhe Hong Kong gjatë takimit të tij me Presidentin Xi Jinping, tha Shtëpia e Bardhë.

Në deklaratën e saj për takimin, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Biden i tha homologut Xi se SHBA do të "vazhdonte të konkurronte fuqishëm" me Kinën, por se "konkurrenca nuk duhet të kalojë në konflikt".

Shtëpia e Bardhë tha se presidentët Biden dhe Xi ranë dakord gjithashtu se "një luftë bërthamore nuk duhet të ndodh kurrë" dhe nuk mund të fitohet, "dhe nënvizuan kundërshtimin e tyre ndaj përdorimit ose kërcënimit të përdorimit të armëve bërthamore në Ukrainë".

Kjo ishte një referencë ndaj kërcënimeve të fshehta të zyrtarëve rusë për përdorimin e armëve atomike, pasi sulmi rus gati nëntë-mujor ndaj Ukrainës ka dështuar.

Presidenti kinez Xi tha se shpresonte se ata do të "përcaktojnë kursin e duhur për marrëdhëniet Kinë-SHBA" dhe se ai ishte i përgatitur për një "shkëmbim të sinqertë dhe të thelluar të pikëpamjeve" me presidentin Biden.

Presidentët Biden dhe Xi u përshëndetën me një shtrëngim duarsh në një hotel turistik luksoz në Indonezi, ku po marrin pjesë në samitin e G 20-ës, ku nuk po merr pjesë presidenti rus Vlladimir Putin.