Maqedoni

Gjykimi "Besa trans", pronari nuk ndjehet fajtor për falsifikim

15.11.2022 15:04

Drejtuesi i Kompanisë së autobusëve “Besa Trans” Bekim Haxhiu tha se nuk ndjehet fajtorë...

Drejtuesi i Kompanisë së autobusëve "Besa Trans", Bekim Haxhiu, tha se nuk ndjehet fajtor sa i përket akuzës për falsifikim të certifikatës së licencës për udhëtim ndërkombëtar. Prokurori, Vlladimir Milloshovski, tha se autobusi i "Besa Trans", që nuk ka poseduar certifikatë të licencës, 20 herë ka kaluar kufirin në vitin 2021. 
 
Ndërkohë, përfaqësuesi i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, që është kompetente për dhënien e licencave, tha se Kompania "Besa Trans" ka pasur licencë për udhëtim ndërkombëtar, mirëpo autobusi i cili u aksidentua në Bullgari, nuk ka poseduar certifikatë nga licenca për transport ndërkombëtar.
 
Sipas mbrojtjes, në këtë rast nuk bëhet për falsifikim dokumenti siç pretendon prokuroria. Alispahiq thekson se autobusi i aksidentuar i ka përdorur certifikatat e autobusëve të tjerë për të udhëtuar, por në asnjë rast nuk ka falsifikuar dokument. Se si ka qenë e mundur të udhëtohet me certifikatë të autobusëve tjerë, Alispahiq thotë se organet hetuese duhet të hetojnë se si i kanë lëshuar doganierët.
 
“Nuk është bërë përmirësim i licencave ekzistuese e as që janë licenca joekzistuese, nuk janë të falsifikuara me qëllim të kalimit në pikat kufitare. Janë shfrytëzuar licencat e vlefshme të automjeteve që janë në pronësi të "Besa Trans". Përgjigjen se si ka kaluar kufirin autobusi që vitin e kaluar u dogj në Bullgari, e kanë organet e hetimit.”,- deklaroi avokati mbrojtës, Asmir Alispahiq.
 
Seanca e radhës është më 23 nëntor, ndërsa pritet të dëshmojnë nga Drejtoria e Doganave.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI