Maqedoni
Ditët e Alfabetit, studimet gjermane mbi gjuhën shqipe
15.11.2022 17:26
Studimet a albanologëve gjermanë mbi gjuhën dhe letërsinë shqipe kanë qenë të shumta...

Studimet a albanologëve gjermanë mbi gjuhën dhe letërsinë shqipe kanë qenë të shumta dhe këto figura do të mbeten dëshmi të historiografisë shqiptare. Studiuesit Gjorgj Von Han dhe Norbert Jokl patën studimin e gjuhës shqipe mision të jetës së tyre, u tha në sesion shkencor kushtuar studimeve albanologjike në gjuhën shqipe.
“Në parathënien e parë të bletës shqiptare, autori Thimi Mitko do të marrë si motiv fjalinë e herderit kur thotë një popull nuk mund të çlirohet kurrë nga barbarizmi, përveçse duke e zhvilluar gjuhën e vet. Në një ditë si kjo muaj si ky mendoj se nuk ka fjali më të mirë për gjermanët dhe shkencën shqiptare.”,- tha studiuesja, Teuta Arifi.
“Albanologët gjermanë kanë kontribuar shumë në formimin kulturor dhe orientimin të popullit tonë siç e shohim prej veprave të tyre të cilat si p.sh. Hani që i ka vë bazat materiale dhe shkencore të albanologjisë.”,- theksoi studiuesi, Emin Azemi.
“Nderimet për këtë figurë mbeten të përjetshme për albanologjinë shkencore dhe kombin shqiptar, por Joklin mund ta nderojmë kur shkojmë rrugës së tij jo kur flasim për të me epitete të mëdha në raste përvjetorësh.”,- u shpreh albanologu, Qemal Murati.
“Mungesa e një shteti e një alfabeti të popullit shqiptar gjithmonë ka lënë mundësinë për të shtrembëruar historinë dhe gjuhën andaj çdo studiues i huaj që flet për popullin shqiptar është dëshmi e historiografisë tonë.”,- theksoi historiani, Besnik Rameti.
“Hani së bashku me Artur Evans janë të vetmit që ndoshta Hani edhe pa dashje ka kontribuar në arkeologjinë e Ballkanit dhe Maqedonisë.”,- theksoi arkeologu, Sali Islami.
Konkluzat e sesionit shkencor do të botohen në librin “Ditët e Alfabetit”.
FLUTURA LATIFI
