Maqedoni

Liderët e G20-tës dënojnë luftën në Ukrainë: Konflikti të mbyllet sa më parë!

16.11.2022 12:41

Lufta e Ukrainës u kthye në boshtin e samitit të grupit të G20-tës në Indonezi...

Lufta e Ukrainës u kthye në boshtin e samitit të grupit të G20-tës në Indonezi, krerët e të cilit dolën me një draft-deklaratë që e dënon me forcë konfliktin dhe kërkon fundin e menjëhershëm të tij.
 
Të pranishëm në takim janë presidenti i SHBA Joe Biden, kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov dhe liderë të tjerë. Presidenti rus Putin nuk merr pjesë.
 
Samiti iu drejtua përmes një lidhjeje video edhe presidenti ukrainas Volodimir Zelenski. Ai u bëri thirrje vendeve pjesëmarrëse të kthehen në “bashkëkrijues i paqes” dhe t’i japin fund luftës “agresive dhe destruktive” të Rusisë.
 
Draft-deklarata e paraqitur në takim dënon me forcë luftën dhe thekson se ajo po kontribuon ndjeshëm në përshkallëzimin e brishtësisë ekonomike në të gjithë botën. Dokumenti prej 16 faqesh, pritet të miratohet nga një shumicë e madhe e anëtarëve të G20.
 
Edhe pse aty nënvizohet se grupi i 20 ekonomive më të rëndësishme të planetit nuk është forum për të zgjidhur çështjet e sigurisë, këto të fundit nga ana tjetër mund të kenë pasoja të rëndësishme për ekonominë globale, dhe sidomos në kushtet aktuale, lidhja mes tyre është mëse e qartë.