Maqedoni

Ndryshimet për Avokatin e Popullit, BDI i kushtëzon me pranimin e vërejtjeve të saj

27.01.2015 16:13

Propozim-ligji për plotësim dhe ndryshim të Ligjit për Avokatin e Popullit nuk do të kalojë nëse propozuesi dhe deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk pranojnë tre amendamentet e BDI-së...

Propozim-ligji për plotësim dhe ndryshim të Ligjit për Avokatin e Popullit nuk do të kalojë nëse propozuesi dhe deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk pranojnë tre amendamentet e BDI-së, me të cilat pretendohet të mbrohet e drejta e Avokatit të Popullit që të ndjek përfaqësimin e drejtë dhe adekuat nëpër institucione.
 
Koordinatori i grupit parlamentar i BDI-së, Talat Xhaferi, sqaron se grupi parlamentar e mbështeti këtë propozim-ligj në fazën e parë, me kusht që në fazën e dytë të pranohen vërejtjet e saj.  
 
“Dhe nëse vjen në shprehje që të cenohet ajo që vlerësojmë se është ulje e nivelit të punës së institucionit Avokati i Popullit brenda vendit, ne e kemi thënë edhe në leximin e parë se: “po qe se nuk inkorporohen ato vlerësime që mendojmë se janë rrënjësore në punën e Avokatit të Popullit, nuk ka arsye pse të ketë mbështetje në lexim të dytë propozim-ligji për plotësim dhe ndryshim të Ligjit për Avokatin e Popullit”- deklaroi koordinatori i grupit parlamentar i BDI-së, Talat Xhaferi.
 
Ndërkaq, PDSh-js ka hartuar tetë amendamente për plotësimin e propozim-tekstit të ligjit. PDSh-ja kërkon aplikimin e modelit suedez dhe francez, ku AP-ja ka kontroll mbi veprimtarinë e gjykatave dhe dënime me burg për drejtuesit e institucioneve që nuk do të respektojnë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.
 
“Prandaj PDSh-ja me anë të amendamenteve propozon që Avokatit të Popullit t’i jepet pavarësi e plotë e funksionimit, pavarësi politike dhe financiare. Sugjerimet, masat dhe veprimet që ndërmerr Avokati i Popullit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të jenë obligative për institucionet shtetërore, e jo si deri më tani që kanë qenë fakultative. Ata që shkelin të drejtat e qytetarëve, në veçanti shqiptarëve, dhe ata që nuk respektojnë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të dënohen me burg prej 15-20 vjet”- tha Bekim Fazliu nga PDSh.
 
Propozim-ligji për plotësim dhe ndryshim të Ligjit për Avokatin e Popullit sot duhej të shqyrtohet në Komisionin për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, por seanca u shty pasi propozuesi i ligjit kishte kërkuar më shumë kohë për shqyrtimin e amendamente dhe rishqyrtimin e tekstit të ligjit në përgjithësi.
 
SHPËTIM NUREDINI