Kulturë

Nis sonte në Shkup Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu”

16.11.2022 13:28

Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu” nis sonte në Shkup, me pjesëmarrjen e 12 trupave teatrore nga Maqedonia e Veriut...

Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu” nis sonte në Shkup, me pjesëmarrjen e 12 trupave teatrore nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova. Festivali “Moisiu” organizohet nga Teatri Kombëtar i Shqipërisë, Teatri Shqiptar - Shkup, Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, të cilët e kanë konsideruar këtë si ngjarjen më të madhe kulturore të vitit.
 
Teatrot kryesorë shqiptarë bashkëorganizojnë festivalin më të madh të teatrove shqiptare nga të tri shtetet. Festivali “Moisiu” është emërtuar në nder të artistit shqiptar me famë botërore, Aleksandër Moisiu. Ky festival do të jetë i përvitshëm dhe do të organizohet çdo nëntor me rotacion: Shkup, Tiranë e Prishtinë. Festivali ka marrë mbështetjen e plotë të ministrive të Kulturës së Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës. Festivali “Moisiu” do të vijojë deri më 27 nëntor.