Maqedoni
Sali: Dorëheqja kërkohet nga individë të caktuar
16.11.2022 13:57
Kërkesën e disa aktivistëve të Alternativës nga dega e Çairit për dorëheqje, ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali...

Kërkesën e disa aktivistëve të Alternativës nga dega e Çairit për dorëheqje, ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, ka refuzuar ta komentojë me arsyetimin se në organet e partisë nuk ka pasur ankesa për punën e tij. Sipas tij ankesat vijnë nga individ të caktuar dhe jo nga strukturat e parisë.
“Nuk ja vlen të përgjigjem në këtë pyetje për shkak se dega e Çairit e mohoi këtë qëndrim dhe ata që kërkojnë dorëheqjen time janë individ të caktuar të cilët marrin pjesë në organe të ndryshme të partisë dhe asnjëherë deri më tani asnjë lloj pakënaqësie nuk është shprehur në organet partiake.”,- tha ministri i shëndetësisë, Bekim Sali.
Lëvizja “Besa”: Keqmenaxhim i institucioneve shëndetësore
Por, një akuzë pikërisht për keqmenaxhim të institucioneve shëndetësore në vend, në adresë të ministrit Sali, vjen edhe nga Lëvizja “Besa”. Ata kërkuan dorëheqjen e tij teksa akuzuan për një kolaps të tërësishëm dhe shkatërrim të sistemit shëndetësorë.
“Nga keqmenaxhimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe si rrjedhojë të të gjithë institucioneve që janë në hierarkinë vertikale të saj qytetarët e vendit për çdo ditë ballafaqohen me mungesë të barnave me kushte joadekuate të hapësirave nëpër spitalet shtetërore si dhe me një dezorientim të plotë të organizimit në sektorin e shëndetësisë.”,- u shpreh Valon Bela nga Lëvizja “Besa”.
Ditë më parë njëmbëdhjetë aktivistë nga dega e Çairit e partisë Alternativa kërkuan dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Bekim Sali. Sipas tyre, ministri nuk ka realizuar synimet politike të partisë, përfshi mosmarrjen e dy drejtorive në Klinikën Universitare dhe kryetarin e bordit drejtues në Fondin Shëndetësor.
NAIM RAMADANI
