Maqedoni

Sejdiu: Një parti opozitare në qeveri, e pashëndetshme

16.11.2022 14:33

Lëvizja Besa kërkon unifikim të qëndrimeve të opozitës shqiptare....

Lëvizja Besa kërkon unifikim të qëndrimeve të opozitës shqiptare. Nënkryetari i saj, Blerim Sejdiu, në “Argument” në TVM2, tha se nëse vërtetohen zërat se ASH së shpejti mund t’i bashkohet qeverisë, kjo me automatizëm do hidhte poshtë akuzat që ASH në vazhdimësi ia bën qeverisë. 
 
“Qëndrimet opozitare duhet të unifikohen… Ata nuk duhet të jenë kundër deklaratave të veta… Nuk është e shëndetshme që ndonjë parti opozitare e tanishme të behët pjesë e Qeverisë, ku do të dëmtohej vetvetiu dhe do të bëhej kurban për ta shpëtuar BDI-në dhe këtë Qeveri që e ka humbur rrugën në oborrin e vet.”,- tha nënkryetari i Lëvizjes Besa, Blerim Sejdiu.
 
Aliti: Hyrja apo jo në qeveri, vendim që i takon ASh-së
 
Për Faton Alitin, kyçja eventuale e ASH-së në Qeveri do të ishte për parimet e tyre partiake dhe jo për të shpëtuar dikë. 
 
“Ku do të ishte interesi i Aleancës të bëhet kurban i BDI-së, unë megjithatë besoj se ato do ta bëjnë një analizë në bazë të interesit të tyre partiak, kombëtar dhe shtetëror futjen apo mosfutjen në Qeveri. ASH ishte në biseda më të avancuara me Lëvizjes BESA edhe për koalicion dhe unë nuk besoj se ai variant është edhe e mbyllur. Me gjithë atë mendoj se Aleanca do të udhëhiqet nga interesi i saj dhe jo për të shpëtuar dikë tjetër.”,- u shpreh analisti politik, Faton Aliti.
 
Lëvizja Besa vazhdon ndërkohë të këmbëngulë për zgjedhje të parakohshme, para ndryshimeve kushtetuese. Aliti thotë se vendi nuk duhet të rrezikojë në shkojë në zgjedhje në këtë moment e përkujton se ndryshimet kushtetuese janë parakusht për hapjen e kapitujve me BE-në.  
 
FITIM KRYEZIU