Maqedoni
Vazhdimi i eurointegrimit, Bun: Mbaroni me obligimet, Franca është me ju
16.11.2022 14:46
Franca do t’i qëndrojë përkrah Maqedonisë së Veriut dhe do ta thellojë dialogun në kuadër të politikës europiane...

Franca do t’i qëndrojë përkrah Maqedonisë së Veriut dhe do ta thellojë dialogun në kuadër të politikës europiane, por Shkupi zyrtar duhet inkurajuar që t’i shkojë procesit integrues deri në fund, porositi sekretarja shtetërore franceze, Lorans Bun. Sipas saj, procedurat aktuale që i kërkojnë ndryshimet kushtetuese nuk janë të lehta, por janë çështje që duhet mbaruar dhe njëherit, kontribuojnë në përforcimin e sistemit të së drejtës.
“Hapi i ardhshëm janë ndryshimet kushtetuese, si çështje shumë të rëndësishme dhe pjesë e marrëveshjes evropiane mbi reformat që duhet të implementohen. Në kohën e negociatave jemi këtu t’i ndihmojmë Maqedonisë së Veriut dhe kjo duhet të na shërbejë si qëllim. Maqedonia e Veriut është shtylla e stabilitetit në rajon dhe në Ballkan Perëndimor, dhe për këtë është me rëndësi të mbështetemi në kapacitetin e saj.”,- deklaroi sekretarja shtetërore në MPJ-në franceze, Lorans Bun.
Kovaçevski deputetëve: Jini burrështetas, votoni ndryshimet kushtetuese
Edhe kryeministri, Dimitar Kovaçevski, ripërsërit apelin ndaj 120 deputetëve të kuvendit. Kërkon prej tyre të sillen si burrështetas dhe të tërheqin pengesën e radhës në rrugën e hapjes së kapitujve me BE-në. Siguron se ekspertët profesional do ta mbarojnë skriningun dypalësh brenda kornizës së paraparë kohore.
“E di se vendimi i tyre nuk është i lehtë, por pres që të tregohen burrështetas dhe do t’i mundësojnë shtetit të lëviz me shpejtësi në rrugën europiane. Gjithsesi, ata kanë të drejtë ta lënë vendin në stagnacion, por jam i bindur se do të sille sipas detyrës dhe do të miratojnë vendim, i cili do të jetë në të mirë të gjeneratës së ardhshme. Deputetët para së gjithash janë përfaqësues të qytetarëve, ndërsa qytetarët duan të jetojnë në vendin anëtarë të BE-së.”,- theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Sekretarja shtetërore franceze Lorans Bun, ka takuar edhe përfaqësuesit e Komisionit kuvendor për Çështje Kushtetuese.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
