Maqedoni
Sali: Kërkojmë zgjidhje për borxhet e vjetra të klinikave
16.11.2022 15:59
Klinikat shtetërore së bashku me Fondin për Sigurim Shëndetësor po punojnë në krijimin e buxheteve për vitin e ardhshëm...

Klinikat shtetërore së bashku me Fondin për Sigurim Shëndetësor po punojnë në krijimin e buxheteve për vitin e ardhshëm, njofton ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali. Sipas planit të paraparë, Sali thotë së do të përpiqen të gjejnë një zgjidhje edhe për borxhet që kanë mbetur dhe pret nga Fondi të gjejë mënyrë për të dalë nga kriza financiare.
“FSSH është në dijeni të borxhit që kanë klinikat dhe duhet të gjejë një mënyrë për të rimbushur buxhetet e këtyre klinikave në mënyrë që të gjitha borxhet të mund të shlyhen.”,- tha ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.
Ministri Sali sqaron se një pjesë e klinikave e siguron energjinë elektrike direkt nga furnizuesit, ndërsa një pjesë tjetër përmes shërbimeve të përbashkëta. Kjo situatë, sipas tij, është rënduar në kohën e pandemisë kur ka munguar menaxhimi financiar.
“Një pjesë e klinikave furnizohet përmes shërbimeve të përbashkëta për shkak të borxhit të akumuluar gjatë pandemisë Covid dhe po përballet me funksionim të vështirë në fushën e menaxhimit financiar. Për shkak të borxheve që janë akumuluar në këto klinika, ata mbeten prapa në shlyerjen e borxheve ndaj shërbimeve të përbashkëta.”,- tha ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.
Këto komente ministri Sali i bëri në konferencën e sotme për media gjatë vizitës në Klinikën Universitare për Nefrologji, ku është bërë renovimi i plotë i pjesës spitalore.
VLORA LATIFI TOPOJANI
