Maqedoni
Studime albanologjike në gjuhën gjermane
16.11.2022 17:04
Albanologët gjermanë dhanë kontribut të çmuar në studimin e dialekteve të gjuhës shqipe dhe njësimin e gjuhës...

Albanologët gjermanë dhanë kontribut të çmuar në studimin e dialekteve të gjuhës shqipe dhe njësimin e gjuhës së përbashkët letrare shqipe. Dorëshkrimi i vitit 1886 i gramatikës së shkurtër të shqipes nga albanologu me prejardhje gjermane, Gustav Majer, zë një vend të veçantë në historinë e gjuhës shqipe, u theksua në sesionin shkencor kushtuar studimeve albanologjike në gjuhën gjermane. Majer studioi edhe arbëreshët e Italisë.
“Vepra e Gustav Majerit është një monument shumë i çmueshëm dhe i rëndësishëm në historinë e gramatologjisë sonë dhe po ashtu edhe për studimet në fushën e etimologjisë dhe historisë së gjuhësisë shqiptare në përgjithësi.”,- tha studiuesi, Xhafer Beqiraj.
“Arbëreshët nuk kanë ruajtur vetëm gjuhën, por pos ruajtjes kanë krijuar, sepse bëhet fjalë për mbi 600 vjet, ata nuk mund të ekzistonin si etni, por i krijonin dhe është punë tjetër që ne nuk mund të merremi me ato ndryshime që vërehen te tekstet dhe shkruhen aty.”,- theksoi studiuesi, Anton Nikë Berisha.
Kontribut në procesin e njësimit të gjuhës shqipe dha edhe albanologu gjerman Lamberci.
“Është i njohur qëndrimi i Lambercit, ai nuk ishte për krijimin e një gjuhe të përzier gego-toske, për të mos krijuar një ndarje gjuhësore. Ai mendonte që zgjidhja do të ishte që të ngremë në rangun e një gjuhe letrare, një dialekt i cili jeton dhe është shfrytëzuar në pikëpamje letrare. Si simpatizant i Fishtës shprehet se gjuha e tij është gegërishtja e veriut me bazë shkodranishten.”,- theksoi studiuesi, Izer Maksuti.
Manifestimi “Ditët e Alfabetit” që mbahet në prag të 114 vjetorit të kësaj dite , ka për qëllim shënimin e denjë edhe të 50 vjetorit nga Kongresi i Drejtshkrimit dhe pesëmbëdhjetë vjetorit të themelimit të ITKSh–së.
FLUTURA LATIFI
