Maqedoni
Bashkëpunim RMV- Kosovë, për të tërhequr më shumë fonde për zhvillim rajonal nga fondet e BE-së
16.11.2022 20:00
Delegacioni nga Ministria e Zhvillimit Rajonal të Kosovës po qëndron për vizitë në Maqedoni...

Delegacioni nga Ministria e Zhvillimit Rajonal të Kosovës po qëndron për vizitë në Maqedoni, ku pati takime në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale dhe Byronë për Zhvillim të Barabartë Rajonal. Në kuadër të kësaj vizite , Zëvendësministri i Vetëqeverisjes Lokale Zoran Dimitrovski ka takuar sot zëvendësministrin e Zhvillimit Rajonal të Kosovës, Agon Dobruna.
Dy zëvendësministrat ranë dakord për një bashkëpunim më të madh dhe veprim të përbashkët në kuadër të nismave të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, për tërheqjen sa më efektive të fondeve nga programet e Bashkimit Evropian.
“Ministria e Vetëqeverisjes Lokale ëstë epërkushtuar për zhvillim të balancuar rajonal dhe kemi kënaqësinë që përvojat tona në këtë fushë t'i ndajmë me Republikën e Kosovës, me të cilën kemi bashkëpunim gjithëpërfshirës. Ju mbështesim në përpjekjet tuaja për marrjen e statusit të vëzhguesit në programet transnacionale për bashkëpunim territorial të Bashkimit Evropian, Euromed dhe Adrion", tha Dimitrovski
"Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë të ngjashme për nga madhësia dhe numri i banorëve dhe ne kemi shfrytëzuar shembullin tuaj, përvojat tuaja, si dhe shembullin e Republikës së Sllovenisë, kur miratojmë ligjet dhe strategjitë për zhvillim të balancuar rajonal", tha zëvendësministri Dobruna.
Ministria e Vetëqeverisjes Lokale po ashtu ka bashkëpunim të rëndësishëm me Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale të Republikës së Kosovës në programet e bashkëpunimit ndërkufitar të Bashkimit Evropian, ku janë realizuar 15 projekte në vlerë prej 5.4 milionë euro. Është duke u bërë vlerësimi i aplikacioneve për projekte nga thirrja e pestë për të cilën është përcaktuar buxheti shtesë prej 2.2 milionë euro.
Projektet në fushën e mjedisit, zhvillimit të turizmit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore realizohen bashkërisht ndërmjet komunave të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës me mbështetjen e sektorit joqeveritar nga të dyja vendet.
Mjetet sigurohen nga fondet e Bashkimit Evropian, me bashkëfinancim shtesë prej 15 për qind nga buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
