MASH: Mos luani me fatin e nxënësve

27.01.2015 16:47

Dita e dytë e testimit ekstern nuk kaloi pa probleme...

Edhe pse nga MASH-i thonë se testimi ekstern zhvillohet në shumicën e shkollave, vetë Ministria e Arsimit sot pranoi se ka probleme.

Sipas MASH-it, në disa shkolla ka pasur tentime për t’i penguar nxënësit të zhvillojnë testimin ekstern.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës u bëri thirrje drejtuesve të shkollave të mesme, anëtarëve të SASHK-ut dhe të gjithë subjekteve të përfshira që t’iu mundësohet nxënësve, të cilët kanë arritur nëpër shkolla në terminët e paracaktuara, pa ndërprerje ta realizojnë obligimin e tyre shkollor dhe ligjor.

Procesi është zhvilluar pjesërisht në shkollat e mesme në Kumanovë, Tetovë, Gostivar, Kërçovë dhe Strugë. Nga MASH-i thonë se pengimi i këtij procesi shkakton dëm të drejtpërdrejtë në procesin arsimor të nxënësve dhe përfshin kufizimin e së drejtës për arsim të mëtutjeshëm, apo regjistrimin dhe formalizimin e arsimit të lartë.

MASH-i u bëri thirrje anëtarëve të SASHK-ut dhe të gjithë të tjerëve që të mos eksperimentojnë me nxënësit, të mos i keqpërdorin, të mos luajnë me fatet e tyre dhe aktivitetet t’i realizojnë në mënyrën e cila nuk do të shkaktojë pasoja në arsimimin e tyre.

Nga Qendra për Provime shtetërore thonë se testimit nuk i janë nënshtruar po ata shkolla që kanë bojkotuar procesin edhe gjatë ditës së djeshme.

“80 deri më 85% nxënësit do të testohen, sot pjesa tjetër janë në bojkot, ndaj të cilëve nuk mund të ndërmarrim diçka më tepër përveçse t’i ftojmë të kthehen për të kryer obligimin e tyre ligjor, që do të ndikojë në suksesin e tyre”- deklaroi drejtoresha e Qendrës për Provime Shtetërore, Mirushe Hoxha.

Sot shumë shkolla mbajtën ditën e dytë të testimit ekstern të maturantëve.

TVM2 vizitoi shkollat e mesme profesionale “Marija Kiri” dhe “Dimitra Vllahov”, ku testimi ekstern është realizuar pa pengesa.

“Në shkollën tonë testimi u realizua me sukses, sot ishin të gjithë nxënësit e paraqitur, ne i kemi katër termine dhe në 11 e 30 kemi filluar deri më 1 e 30 do të mbarojmë”- tha ndihmësdrejtori në ShM “Marija Kiri”, Bilgin Hajredini.

“Testim ekstern ka tek të gjithë paralelet, pa marrë parasysh se a janë paralele maqedone, shqipe apo turke, ne nuk jemi të përfshirë në grevë dhe testimi ekstern do të realizohet deri të enjten”- u shpreh drejtori në ShM “Dimitar Vllahov”, Vanço Bozhinovski.

Dje janë testuar 8.000 nxënës nga 10 mijë gjithsej. Testimi ekstern duhet të përfundojë deri të premten, ndërkohë rezultatet do të publikohen më 2 shkurt. (Flutura Latifi, TVM2)