Maqedoni
Qeveria përkrah riorganizimin e administratës, do të shfuqizohen agjenci dhe këshilla drejtues
17.11.2022 13:37
Ministria e Shoqërisë Informatike, e Ekonomisë dhe e Bujqësisë do të jenë ministritë e para që do të marrin pjesë...

Ministria e Shoqërisë Informatike, e Ekonomisë dhe e Bujqësisë do të jenë ministritë e para që do të marrin pjesë në procedurën e riorganizimit në kuadër të projektit IPA të përkrahur nga BE–ja. Është bërë analiza se si të organizohen 17 ministri, që të mundësohet udhëheqje e politikave për llogaridhënie, mbikëqyrje dhe kontroll nga ana e ministrave dhe të mos krijohen institucione jashtë ligjit.
“Ashtu siç ne e kishim praktikën e krijimit të institucioneve të pavarura me ligje të veçanta, kjo do të rregullohet përmes një ligji dhe do të vendoset strukturë e re në punën e Drejtorisë Shtetërore që ajo të jetë më ekonomike më efektive dhe llogaridhënëse ndaj qytetarëve.”,- tha Sllagjana Taseva nga “Transparency Internacional”.
Disa agjenci dhe institucione do të bashkohen në një, ndërsa nuk do të ketë ulje të numrit të administratorëve, por drejtorëve dhe anëtarëve të këshillave drejtues.
“Do të ketë largime vetëm të drejtorëve dhe anëtarëve të këshillave drejtues të institucioneve të cilat do të mbyllen, mirëpo punëtorët që ekzistojnë në të gjitha agjencitë dhe ministritë do të vazhdojnë punën e tyre.”,- theksoi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti.
“Është proces që ka përfshirë edhe opozitën dhe kërkon mbështetje me dy të tretat në kuvend për t’u realizuar. Ministri Aliti ka përkrahje që ta rrumbullakojë këtë riorganizim të administratës gjatë vitit të ardhshëm në mënyrë që pas zgjedhjeve të vitit 2024 me qëllim që administrata e re të jetë sa më efikase në shërbim të qytetarëve.”,- u shpreh zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
“Vendi i ardhshëm anëtar duhet të ketë administratë me kapacitet që do të sigurojë zbatimin e së drejtës evropiane dhe do të sigurojë vendi të jetë partner i barabartë që t’i shfrytëzojë mundësitë ekzistuese përmes qasjes në BE.”,- theksoi shefi i delegacionit të BE-së, Dejvid Gir.
Ministria e Shoqërisë Informatike punon edhe për rritjen e pagave të administratorëve në nivel qendror.
FLUTURA LATIFI
