Maqedoni

NPK-Tetovë kërkoi 35 milion, iu ndanë vetëm 25 milion denarë

17.11.2022 14:05

Kryesuesi i këshillit në Tetovë, Besar Durmishi, tha se situata financiare në këtë ndërmarrje është e vështirë dhe sipas tij...

Kryesuesi i këshillit në Tetovë, Besar Durmishi, tha se situata financiare në këtë ndërmarrje është e vështirë dhe sipas tij, borxhet e kësaj ndërmarrje janë të trashëguara. Durmishi pranoi se katër muaj punëtorët e kësaj ndërmarrje janë pa rroga.
 
“Borxhet janë të trashëguara, punëtorët që janë të angazhuar me kontratë në vepër janë kryesisht të operativës, janë punëtorë krahu që bëjnë bartjen e mbeturinave dhe që mirëmbajnë sistemin e ujësjellësit dhe kjo është një zgjidhje afatshkurtër deri në fund të vitit. Ata kanë kërkuar 25 milion denarë, që besoj nuk do ta kalojë, por mund të jetë edhe me pak, varësisht si do ketë mundësi dhe financa komuna e Tetovës, do të shlyejë borxhin atyre personave që janë me kontratë në vepër. Punëtorët që janë të angazhuar me kontratë në vepër janë katër muaj brenda me rroga, nga muaji gusht ende nuk kanë marrë.”,- deklaroi kryetari i Këshillit Komunal, Besar Durmishi.
 
Për mospagesën e rrogave nga NPK i fajësojnë qytetarët të cilët nuk i kryejnë obligimet e tyre.
 
“Arsyeja e mospagesës janë borxhet që kanë qytetarët ndaj NPK-Tetovës. Për momentin inkasimin e faturave në formë të rregullt i kemi 25%. Në nivel vjetor e kemi 50%, duke iu referuar procesit juridik, i cili është i vetmi që mbron faturën tonë.”,- tha Lulzim Shaqiri nga NPK-Tetovë.
 
Ndërkaq, këshilltarët opozitarë në Tetovë e lëshuan seancën me arsyetimin se nuk ka mjaftueshëm informacion  se ku do të derdhen mjetet e dhëna nga Komuna e Tetovës.
 
“Ne kërkuam që të jepet një raport i detajuar për fondet të cilat kërkohen nga ndërmarrja NPK- Tetovë prej arkës së komunës së Tetovës. Bëhet fjalë për 35 milion denarë që NPK-Tetova i kërkon për shërbim, për pagat e punëtorëve ne nuk jemi kundër kësaj dhe duam që punëtorët të paguhen por ne kërkojmë një raport të detajuar financiar nga NPK.”,- theksoi këshilltari në Komunë e Tetovës nga BDI, Liridon Disha.
 
Përndryshe, komuna e Tetovës shqyrton mundësinë e rithemelimit  edhe të dy ndërmarrjeve tjera me qëllim funksionimin sa më të mirë.
 
VISAR SADIKI