Në Ministrinë e Sistem Politik u organizua sesioni i katër i manifestimit kulturor-shkencor “Ditët e Alfabetit”, i cili sivjet i kushtohet kryesisht “Studimet albanologjike në gjuhën gjermane”. Alfabeti dhe shkrimi shqip fuqishëm po sulmohet nga qarqe të caktuara nga Rusia dhe Serbia, thotë drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani. Sipas tij, ato po paguajnë shuma të mëdha parash për t’i asgjësuar dëshmitë dhe faktet, të cilat i kanë institutet austriake dhe gjermane për alfabetin dhe shkrimin shqip, sepse jo rrallë studimet e albanologëve gjermanë kanë qenë edhe referenca të besueshme për historianët, pasi që hulumtimet e tyre përbënin faktografi që i bënin studimet historiografike më kredibile për alfabetin shqip.
“Këto dy dekadat e fundit Rusia dhe Serbia kanë investuar miliona e miliarda në Qendra në Gjermani dhe Austri, pra qendrat albanologjike, që ta zhbëjnë atë që e kanë bërë në shekullin e 19 dhe 20, dhe për fat të keq kanë arritur të ndikojnë në këto qendra albanologjike dhe cila është strategjia e tyre, ndërsa ne nuk kemi asnjë institucion shkencor në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup dhe nuk kemi asnjë mekanizëm mbrojtjeje nga këto qarqe.”,- deklaroi drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani.
Sivjet shënohet 50 vjetori i drejtshkrimit të gjuhës shqipe, prandaj ky është një vit jubilar, tha drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe, Ylber Sela.
“Kjo datë jubilare për drejtshkrimin është një datë që do të na motivojë më tepër që të punojmë më tepër që gjuhën tonë, gjuhën shqipe, normalisht që duhet të na rrisë përgjegjësinë, sepse shqiptarët së paku në gjuhë janë të bashkuar. Tashmë vendi është duke shkuar në drejtim dygjyhësor, ka shumë aktivitete dhe mirë që janë këto aktivitete që ndodhin dhe do të ndodhin në ditët në vijim, sepse duhet të rritet vetëdija për gjuhën, për kombin, kulturën dhe traditën tonë.”,- tha drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe, Ylber Sela.
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Alfabetit Shqip, janë paraparë disa aktivitete të cilat do të shënohen në disa qytete të vendit por edhe në diasporë. Kështu më 21 nëntor do të bëhet promovimi i librave të Agim Vincës, ndërkaq më 22 nëntor ekspozitë “50 vjet drejtshkrim” në bashkëpunim me institutet albanologjike të Shqipërisë dhe të Kosovës. Këto manifestime janë mbështetur nga Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhëniet në mes Bashkësive.