Maqedoni

Foshnjat e lindura para kohe, Sali: Është ulur në 8.2% vdekshmëria

17.11.2022 17:02

Në vitin 2016 shkalla e vdekshmërisë së foshnjave të lindura para kohe ishte 25 për qind...

Në vitin 2016 shkalla e vdekshmërisë së foshnjave të lindura para kohe ishte 25 për qind, ndërsa kjo shifër ka rënë ndjeshëm këtë vit në 8.2 për qind, tha ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, me rastin e Ditës Botërore të Prematuritetit.
 
Ai theksoi se me blerjen e pajisjeve moderne, angazhimin e Ministrisë së Shëndetësisë, Organizatës Botërore të Shëndetësisë, UNFPA-së dhe UNICEF-it për zhvillimin dhe zbatimin e planit të kujdesit prenatal, është arritur një përmirësim i ndjeshëm në uljen e vdekshmërisë së foshnjave të lindura para kohe. 
 
“Ne po shënojmë një rënie të vdekshmërisë prenatale nga 14.8 për qind në 2018 në 9.2 për qind në 2021. Në Gjinekologji dhe akusheri në periudhën e kaluar janë investuar 2.2 milionë euro për përmirësimin e trajtimit të grave shtatzëna dhe të porsalindurve. Ne vazhdojmë me investimet në forcimin e kuadrit, duke pasur parasysh specifikën dhe ndjeshmërinë e këtij aktiviteti. Me programin e specializimit, vetëm për këtë vit janë planifikuar gjashtë subspecializime të reja në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Akusherisë në disa fusha janë planifikuar edhe tre specializime të reja.”,- tha ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.
 
Drejtoresha e Klinikës Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë, Viktorija Jovanovska, theksoi se Klinika këtë vit ka përfunduar me sukses punën e saj me ulje të vdekshmërisë  së foshnjave.                         
“Njësia e Kujdesit Intensiv vazhdoi të punojë me sukses. Vitin e parë të pandemisë e kemi përfunduar me 11 për qind vdekshmëri të foshnjave të lindura para kohe, kështu që gjatë gjithë pandemisë kemi pasur një rënie të vazhdueshme dhe këtë vit është 8.2 për qind.”,- u shpreh drejtoresha e Klinikës për Gjinekologji dhe Obstetrikë, Viktorija Jovanovska.
 
Nga Klinika e Gjinekologjisë thonë se edhe përkundër të gjitha përparimeve në pajisje dhe njohuri, prematuriteti mbetet një problem global dhe shkaku kryesor i vdekjes për fëmijët deri në moshën pesë vjeçare andaj është e domosdoshme dhe nevojë sociale që të vazhdohet me pajisjen e reanimacionit, organizimit, që të ketë kuadër dhe ekspertizë të mjaftueshme për t'i trajtuar këta fëmijë. 
 
VLORA LATIFI